Izraeli mund të nisë ofensiva të reja pas asaj në Qytetin Gaza, thotë ish-gjenerali Amidror - NACIONALE

Izraeli mund të nisë ofensiva të reja pas asaj në Qytetin Gaza, thotë ish-gjenerali Amidror

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Forcat ushtarake izraelite me gjasë do të nisin sulme të reja në pjesë të ndryshme të Gazës që tani janë të stërngarkuara me qindra mijëra njerëz të zhvendosur porsa ta kenë përmbyllur ofensivën e tyre të tanishme në Qytetin Gaza, sipas një ish-gjenerali izraelit, i cili më parë e ka mbajtur edhe postin e këshilltarit për siguri kombëtare.

Yaakov Amidror, i cili ka shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare për kryeministrin Benjamin Netanyahu nga viti 2011 deri më 2013 pas disa dekadave si pjesëtar i ushtrisë, tha se “pjesa e fortë” e Hamasit është në Qytetin Gaza, por se “një kapitull tjetër” mund të pasojë pas ofensivës atje: një sulm në zonën e “kampeve qendrore”, shkruan gazeta “The Guardian”.

“Fushata në Qytetin Gaza do të jetë tre muaj [luftime] intensive, pastaj gjashtë muaj për ta pastruar atë [nga luftëtarët e Hamasit], në mënyrë që të mos ketë kërcënim nga atje, e pastaj ne vendosim për kampet qendrore” – tha Amidrori.

Termi “kampet qendrore” u referohet kampeve të refugjatëve “Nuseirat” dhe “Bureij” në pjesën qendrore të Gazës. Të dyja janë të stërmbushura me palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të enklavës dhe disa herë kanë qenë subjekt i sulmeve ajrore.

Zyrtarët e ndihmave që po punojnë në Gaza i thanë gazetës “The Guardian” se ata janë “paralajmëruar” që të mos investojnë burime substanciale në objekte të reja në zonën e kampeve qendrore gjatë diskutimeve rishtazi me zyrtarë ushtarakë izraelitë.

“Të kuptuarit tonë të qartë nga ato bisedime ishte që ushtria izraelite do të jetë duke shkuar atje, edhe pse nuk ishte e qartë nëse kjo nënkuptonte tani apo pasi ata të kenë përfunduar në Qytetin Gaza” – tha një zyrtar i ndihmave.

Në gusht, në një konferencë për gazetarë, Netanyahu u ishte referuar kampeve qendrore si objekti dytësor i ofensivës së re, por nuk kishte dhënë më shumë hollësi.

Lajme të ngjashme