Izraeli fillon operacion të gjerë tokësor në Gaza, mbi 100 të vrarë nga sulmet ajrore - NACIONALE

Izraeli fillon operacion të gjerë tokësor në Gaza, mbi 100 të vrarë nga sulmet ajrore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli të dielën nisi një operacion të gjerë tokësor në Gaza, përpos fushatës intensive ajrore për të cilën zyrtarë shëndetësorë të enklavës thanë se la të vrarë më shumë se 100 njerëz gjatë natës dhe e goditi spitalin e fundit funksional në pjesën veriore të saj.

Operacioni tokësor i ushtrisë izraelite në jug dhe veri të Gazës vjen në kohën kur ndërmjetësit ndërkombëtarë po bëjnë shtytje për progres në bisedimet për armëpushim, raporton televizioni CNN.

Hamasi dhe Izraeli të shtunën filluan bisedime të tërthorta në Doha të Katarit. Zyrtari i lartë i Hamasit, Taher Al-Nunu, konfirmoi se kishin nisur “bisedime pa parakushte”, sipas televizionit “Al Aksa”.

Përderisa ka ca optimizëm rreth bisedimeve, një rezultat i madh po duket i pasigurt. Izraeli të dielën dha shenjë se është i hapur për t’i dhënë fund luftës në Gaza, nëse Hamasi dorëzohet, propozim që nuk pritet të pranohet nga grupi. Hamasi ka thënë se do t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite, nëse ka garanci se Izraeli do t’i japë fund luftës.

“Nëse Hamasi dëshiron që të flasë për përfundimin e luftës përmes dorëzimit të Hamasit, ne do të jemi të gatshëm” – tha një burim izraelit.

Më herët të dielën, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha televizionit CNN se grupi ishte pajtuar për të liruar mes shtatë e nëntë pengje izraelite në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të 300 të të burgosurve dhe të ndaluarve palestinezë.

Ushtria izraelite ka pretenduar se fushata e re ushtarake e saj e ka kthyer Hamasin në tavolinën e bisedimeve. Në një deklaratë, ushtria tha se kjo fushatë është nisur “për t’i arritur të gjitha qëllimet e luftës në Gaza, përfshirë lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit”.

“Gjatë operacionit, ne do ta rrisim dhe do ta zgjerojmë kontrollin tonë operacional në Rripin e Gazës, përfshirë ndarjen e territorit dhe lëvizjen e popullsisë për mbrojtjen e tyre në të gjitha zonat në të cilat ne operojmë” – tha të dielën zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin./Nacionale

Lajme të ngjashme