Izraeli e mundëson nxjerrjen e farës nga ushtarët dhe civilët e vrarë në luftë
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit do ta lejojë anashkalimin e procedurave të zakonshme ligjore nga prindërit e ushtarëve ose civilëve të vrarë në luftë për ta nxjerrë materialin gjenetik nga trupat para varrosjes së tyre.
Sipas një raportimi të gazetës “Haaretz”, sperma është nxjerrë nga 33 burra muajin e fundit – katër prej tyre civilë, ndërsa pjesa tjetër ushtarë, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Në kohë normale, nxjerrja e farës pas vdekjes mund të bëhet me kërkesën e së vesë pa nevojën për burokraci ligjore, por prindërit që duan që fara e bijve të tyre të nxirret e të ruhet, duhet të sigurojnë një urdhër nga një gjykatë që merret me çështje familjare. Kjo kërkesë është shfuqizuar, të paktën përkohësisht.
Ministria e Shëndetësisë ka themeluar një njësi të posaçme që punon 24 orë në ditë e shtatë ditë në javë me ushtrinë izraelite dhe me katër spitale që kanë pajisje për ruajtjen e farës mashkullore, për t’i njoftuar familjet për këtë mundësi dhe për ta kryer procedurën sa më shpejt që është e mundshme pas vdekjes së birit ose bashkëshortit të atyre që e dëshirojnë realizimin e saj.
Fara duhet të nxirret brenda 24 orëve pas vdekjes për të pasur më shumë gjasa për funksionim, kur më vonë të shkrihet dhe të përdoret për ta fertilizuar vezën. Megjithatë, ekspertët thonë se procedura e nxjerrjes mund të kryhet edhe disa ditë pas vdekjes, kur fara nuk është më e lëvizshme.
“Ne e kërkojmë dhe e parapëlqejmë farën që është duke lëvizur, por as fara që nuk është e lëvizshme nuk nënkupton që nuk është e gjallë. Ne dimë se si ta bëjmë që të lëvizë, pasi të jetë shkrirë”- tha Dr. Yuval Or, shef i repartit për fertilizim artificial në Qendrën Mjekësore “Kaplan”.
