Izraeli e konfirmon vdekjen e ushtares peng për të cilën Hamasi tha se u vra nga sulmi izraelit
Ushtria izraelite të martën e konfirmoi vdekjen e një ushtareje që po mbahej peng në Gaza, pasi Hamasi kishte publikuar një video të saj gjallë e pastaj fotografi të atij që palestinezët thanë se ishte trupi i saj, pasi ajo u vra nga një sulm izraelit.
Duket se kjo është hera e parë që Izraeli konfirmon një pretendim të tillë të Hamasit, grup që në të kaluarën ka thënë se dhjetëra pengje nga sulmi i 7 tetorit kanë vdekur ose janë zhdukur për shkak të luftës në Gaza, raporton agjencia “Reuters”.
Në videon e publikuar nga Hamasi dhe që qarkulloi të hënën në rrjete sociale, ushtarja Noa Marciano e identifikoi veten para kamerës dhe tha se ishte duke u mbajtur në Gaza për katër ditë – duke lënë të kuptohej se ishte kapur më 11 tetor.
Më pas, në video shfaqen pamje të një gruaje të re me pamje të ngjashme, e shtrirë, me pamje të zbehtë dhe me sy të mbyllur, në një mbulojë shtrati me njolla gjaku. Në pamje më të afërt vërehet një plagë me gjak në kokë.
Në një përshkrim thuhet se ushtarja 19-vjeçare “u vra në një sulm ajror nga armiku zionist” të enjten e kaluar.
Në deklaratën e ushtrisë izraelite nuk jepet koment për rrethanat e vdekjes së ushtares, përpos përshkrimit si “fatalitet i të rrëmbyerës në duart e një organizate terroriste”.

