Izraeli e Hamasi pajtohen për shkëmbim të ri të të burgosurve me pengje
Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje për t’i shkëmbyer trupat e katër pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë, i ka thënë televizionit CNN një burim izraelit, duke dhënë shenjë se armëpushimi i brishtë në Gaza tani për tani mbetet i paprekur.
Izraeli e ka shtyrë lirimin e qindra të burgosurve palestinezë nga e shtuna si shenjë proteste ndaj atij që e ka quajtur trajtim mizor të pengjeve gjatë lirimit të tyre nga Hamasi dhe duke kërkuar garanci që lirimi i ardhshëm i pengjeve të bëhet pa “ceremoni turpëruese”, raporton televizioni CNN.
Hamasi liroi gjashtë pengje izraelite nga Gaza të shtunën në dy ceremoni publike dhe një private, në atë që ishte kthimi i fundit i pengjeve në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit që nisi muajin e kaluar.
Izraeli pritej të lironte 620 të burgosur palestinezë, përfshirë 23 fëmijë e një grua, por zyrtarët izraelitë e shtynë lirimin e tyre.
Hamasi e akuzoi Izraelin për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit përmes këtij veprimi, duke hedhur ca paqartësi mbi paktin, dhe tha se bisedimet për fazën e dytë nuk do të jenë të mundshme derisa të lirohen këta të burgosur.
Të mërkurën, një burim izraelit i afërt me bisedimet tha se një marrëveshje e re është arritur për dorëzimin e mbetjeve të katër pengjeve që po mbahen në Gaza në këmbim të lirimit të 620 të burgosurve palestinezë.
Hamasi konfirmoi se një marrëveshje me Izraelin është arritur përmes ndërmjetësuesve egjiptianë, por nuk saktësoi se sa pengje izraelite dhe sa të burgosur palestinezë do të lirohen.
Zyrtari izraelit konfirmoi për televizionin CNN se lirimi i mbetjeve të katër pengjeve nga Gaza mund të ndodhë që të mërkurën në mbrëmje./Nacionale