Izraeli del kundër rezolutës së ShBA-së në Këshill të Sigurimit për armëpushimin në Gaza - NACIONALE

Izraeli del kundër rezolutës së ShBA-së në Këshill të Sigurimit për armëpushimin në Gaza

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Ambasadori i Izraelit në Kombe të Bashkuara, Gilad Erdan, e njoftoi të enjten homologen amerikane, Linda Thomas-Greenfield, se vendi i tij e kundërshton rezolutën e Këshillit të Sigurimit që po çohet përpara nga Uashingtoni e me të cilën shprehet mbështetje për propozimin për armëpushim që vetë Izraeli e kishte bërë javën e kaluar.

Kundërshtimi nga Izraeli nuk pritet që të ndikojë në votim, proces që mund të zhvillohet të hënën, duke marrë parasysh se Izraeli nuk është anëtar i Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, rezistenca izraelite pritet që t’i zemërojë Shtetet e Bashkuara, duke llogaritur që Uashingtoni vazhdimisht ka bllokuar nisma në Këshill të Sigurimit që janë cilësuar si armiqësore ndaj Izraelit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Përpos nga Izraeli, kundërshtime më thelbësore mund të vijnë nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, të cilat njihen për bllokimin e rezolutave të ShBA-së duke e shfrytëzuar të drejtën e vetos, përfshirë një rezolutë që ndërlidhej me luftën Izrael – Hamas.

Duke e shpjeguar kundërshtimin e ambasadorit Erdan, një zyrtar i misionit izraelit theksoi se në versionin e përditësuar të rezolutës përmendet marrëveshja e pengjeve si diçka që do të sjellë “armëpushim”, ndryshe nga drafti fillestar që e përshkruante qëllimin përfundimtar si “pushim të armiqësive”, të cilin Izraeli e lexon si më pak të përhershëm për nga natyra.

Izraeli ankohet edhe për thirrjen e përditësuar të draftit që të dyja palët ta zbatojnë plotësisht propozimin më të ri për lirimin e pengjeve. Në versionin e mëparshëm bëhej thirrje vetëm ndaj Hamasit që ta pranonte propozimin. Drafti i përditësuar e bën të njëjtën gjë, por gjithashtu thekson se propozimi më i ri për marrëveshje rreth lirimit të pengjeve është “i pranueshëm për Izraelin”.

Misionit izraelit në OKB nuk i pëlqen as përfshirja e tri fazave të lirimit të pengjeve në versionin e përditësuar të draftit – hapa që tashmë ishin paraqitur publikisht nga presidenti amerikan, Joe Biden, javën e kaluar.

Në fund, misioni izraelit kundërshton një klauzolë të re në draft që “refuzon çfarëdo përpjekjeje ndaj ndryshimit demografik ose territorial në Rripin e Gazës, përfshirë veprimet që e zvogëlojnë territorin e Gazës, si përmes themelimit të përhershëm zyrtarisht ose jozyrtarisht të të ashtuquajturave zona neutrale”.

Izraeli tashmë ka çuar përpara plane për të formuar një zonë neutrale të sigurisë në anën palestineze të kufirit të Gazës, për të cilën disa prej zyrtarëve izraelitë kanë këmbëngulur se është e përkohshme, por plani është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.

Rezoluta e propozuar nga ShBA-ja gjithashtu shpreh “përkushtim të palëkundur ndaj arritjes së versionit të një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete... në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së, dhe në këtë aspekt e thekson rëndësinë e unifikimit të Rripit të Gazës me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez”./Nacionale

Lajme të ngjashme