Izraeli: 20 nga 105 ushtarët izraelitë të rënë në Gaza u vranë nga zjarri ynë e aksidentalisht, dy u shtypën - NACIONALE

Izraeli: 20 nga 105 ushtarët izraelitë të rënë në Gaza u vranë nga zjarri ynë e aksidentalisht, dy u shtypën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga 105 ushtarët izraelitë të vrarë në Rripin e Gazës gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit, që filloi në fund të tetorit, 20 u vranë nga i ashtuquajturi zjarr miqësor dhe nga aksidente të tjera, sipas të dhënave të reja që ushtria izraelite i publikoi të martën.

Trembëdhjetë ushtarë u vranë nga zjarri miqësor për shkak të identifikimit të gabuar gjatë sulmeve ajrore, sulmeve me predha tankesh e me pushkë, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Një ushtar u vra nga zjarri i pushkëve që nuk ishte për qëllim kundër tij, ndërsa një tjetër u vra nga të shtënat e gabuara aksidentale.

Dy ushtarë u vranë në incidente ku u përfshi shtypja e trupave nga automjetet e blinduara, ndërsa dy të tjerë nga copëzat e predhave, përfshirë mjetet plasëse të aktivizuara nga forcat izraelite.

Ushtria izraelite ka vlerësuar se ekzistojnë shumë arsye që kanë çuar te aksidentet vdekjeprurëse, përfshirë numrin e madh të ushtarëve që operojnë në Gaza, problemet e komunikimit mes forcave dhe lodhja e ushtarëve e mungesa e vëmendjes ndaj rregullave.

Tash për tash në Gaza ndodhen mijëra forca tokësore, tanke e trupa të tjerë duke luftuar kundër Hamasit e duke operuar në lagjet e dendura të qytetit Gaza.

Ushtria ka thënë se është duke i vlerësuar vazhdimisht luftimet që po zhvillohen, përfshirë rastet e të shtënave miqësore, dhe duke i zbatuar shpejt mësimet e marra.

Përpos vrasjes së 105 ushtarëve, 582 të tjerë janë plagosur gjatë operacionit tokësor në Gaza, prej tyre 133 seriozisht, 218 me lëndime mesatare dhe 231 të tjerë me lëndime të lehta, sipas të dhënave të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit nga dita e hënë.

Lajme të ngjashme