Italia lejoi 140 emigrantë të zbrisnin në Siçili, por jo edhe burrat e shëndetshëm - NACIONALE

Italia lejoi 140 emigrantë të zbrisnin në Siçili, por jo edhe burrat e shëndetshëm

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Më shumë se 140 emigrantë kanë zbritur nga anija e shpëtimit Humanity 1, e operuar nga organizata humanitare gjermane SOS Humanity, në portin sicilian të Catania, me burra të shëndetshëm të mbajtur në bord, tha një zëdhënëse e organizatës.

Një zëdhënëse tha se ekuipazhit i ishte dhënë leja për të hyrë në një port në bregun lindor të ishullit italian gjatë natës. Të miturit kanë zbritur të parët. Më shumë se 30 burra të rritur mbetën në bord për t'iu nënshtruar një kontrolli mjekësor. Këto janë masa në përputhje me politikën e shpallur së fundmi nga ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi.

Qeveria e djathtë e kryeministrit Giorgia Meloni ka shtrënguar politikën e migracionit që nga marrja e pushtetit në fund të tetorit.

Edhe pse burrat, gratë dhe fëmijët e lënduar do të lejohen të zbresin, pasagjerët në përgjithësi do të jenë përgjegjësi e vendeve ku janë regjistruar anijet e shpëtimit. Në rastin e anijes Humanity 1, ai vend është Gjermania.

Në një prononcim për gazetën Il Messaggero të dielën, ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të zgjidhë problemin e emigrantëve që tentojnë të hyjnë me anije në vendet anëtare. “Ne nuk mund ta kthejmë Mesdheun në varreza, por duhet të dimë se kush është në bord, nga janë dhe nga janë marrë”, tha Tajani, duke shtuar se ishte e drejtë të pranoheshin të sëmurët, gratë dhe fëmijët.

Tre anije të tjera, të operuara nga organizata private të shpëtimit dhe që transportonin emigrantë, ishin pranë bregut lindor të Siçilisë të dielën në pritje të lirimit nga porti. Anijet Rise Above, Geo Barents dhe Ocean Viking raportohet se mbajnë gjithsej 900 emigrantë të shpëtuar. /Nacionale/

Lajme të ngjashme