Italia kundër pezullimit të një pakti Izrael – BE shkaku i të drejtave të njeriut në Gaza - NACIONALE

Italia kundër pezullimit të një pakti Izrael – BE shkaku i të drejtave të njeriut në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Italia është kundër pezullimit të Marrëveshjes së Asocimit BE – Izrael për shkak të dyshimeve për shkelje të të drejtave të njeriut në Gaza, tha të hënën kryediplomati Italian, Antonio Tajani.

“Pozicioni ynë është ndryshe nga ai i Spanjës” – tha ministri Tajani në margjinat e një takimi me kolegë nga vendet e BE-së në Bruksel, duke iu referuar mbështetjes së shprehur nga Spanja për pezullimin e marrëveshjes, shkruan gazeta “The Guardian”.

Tajani tha se është e rëndësishme që marrëdhëniet me Izraelin të mbahen të hapura, duke shtuar se kjo gjë e ka lehtësuar evakuimin e disa civilëve nga Gaza.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, u tha gazetarëve se do të kërkojë nga Këshilli i BE-së që ta miratojë pezullimin e menjëhershëm të paktit me të cilin qeveriset marrëdhënia mes Bashkimit Evropian dhe Izraelit për të protestuar kundër atyre që ai i quan shkelje të të drejtave të njeriut në Gaza, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ai tha se do të kërkojë nga Këshilli që gjithashtu të miratojë një embargo armësh që i shiten Izraelit si dhe sanksione ndaj individëve që janë duke e minuar zgjidhjen me dy shtete mes Izraelit e palestinezëve.

Organizata të ndryshme humanitare e kanë ngritur alarmin për gjendjen në Gaza, ku raportohet për mungesë të ushqimit dhe ujit të pijes. Shumë njerëz raportohet të jenë vrarë përderisa po prisnin për të marrë ndihma nga një program humanitar i mbështetur nga ShBA-ja dhe Izraeli.

Lajme të ngjashme