Ish-zyrtari i lartë amerikan, Householder, dënohet me 20 vite burgim për skemën milionëshe të ryshfetit
Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit Ohio të ShBA-së, Larry Householder, u dënua të enjten me 20 vite burgim për rolin e tij në një skemë 60-milionëshe të ryshfetit.
Householder u dënua nga një trup gjykues federal në mars nën akuzat për konspiracion për mashtrim në lidhje me një skemë për të pranuar ryshfet në këmbim të sigurimit të miratimit të fondeve miliardëshe për një kompani të energjisë bërthamore, raporton televizioni CNN.
“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer me vendimin e gjykatës, për të cilin besojmë se ishte padrejtësisht i ashpër dhe dështoi që në mënyrë të duhur t’i merrte në konsideratë të gjitha veprat e mira të Larry-t në komunitet gjatë rrjedhës së jetës së tij”- tha avokati i ish-zyrtarit të dënuar, Steve Bradley.
“Ne jemi gjithashtu të zhgënjyer që Larry-t nuk iu lejua që të vetëdorëzohej për ta filluar vuajtjen e dënimit. Ne do të paraqesim fuqishëm një apel me shpresën për të fituar një gjykim të ri”- shtoi avokati.
Zyra e prokurorit amerikan për Distriktin Jugor të Ohios në një deklaratë për medie në mars nuk e identifikoi haptazi emrin e kompanisë së energjisë bërthamore të përfshirë në skemë, por theksoi se kompania e shërbimeve, “FirstEnergy Corp.” më parë ishte pajtuar që të paguante gjobë prej 230 milionë dollarësh për “konspiracion për të korruptuar zyrtarë publikë dhe të tjerë” si pjesë e një marrëveshjeje për shtyrje të ndjekjes penale.
Pas dënimit të Householder-it, kompania “FirstEnergy Corp.” tha se ajo “e ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e saj në lidhje me Projektligjin 6 të Dhomës dhe ka ndërmarrë hapa domethënës për t’i lënë prapa vetes problemet e së kaluarës”. “Sot ne jemi një kompani tjetër, më e fortë, me strategji të fuqishme dhe e përqendruar në një të ardhme të ndritshme”- thuhet në një shkresë elektronike të kësaj kompanie.
Sipas prokurorëve federal, Householder-i kishte shpenzuar mbi 500 mijë dollarë të fondeve për të paguar për baraspeshat e kartelave të tij të kreditit, për ta riparuar shtëpinë e tij në Florida dhe për të zgjidhur një padi biznesi.