Ish-shefi i Audisë dënohet me burgim me kusht e me mbi 1 milion euro gjobë për skandalin e dizelit
Ish-shefi i Audisë, Rupert Stadler, u dënua të martën me një vit e nëntë muaj burgim me kusht nga një gjykatë në Mynih për mashtrim përmes neglizhencës në skandalin e dizelit më 2015, duke u bërë ish-anëtari i parë i bordit të Volkswagen-it që i jepet një dënim i tillë.
Përpos dënimit me burgim me kusht, ish-shefi Stadler u dënua edhe me 1,1 milion euro, të cilat do të shkojnë në thesarin shtetëror dhe te organizata joqeveritare, njoftoi gjykata.
Avokatja e tij, Ulrike Thole-Groll, tha në maj se Stadler-i nuk dinte se automjetet ishin manipuluar dhe se shitësit ishin dëmtuar, por pranoi se ishte mundësi dhe se kishte nevojë për më shumë kujdes, raporton agjencia “Reuters”.
Prokurorët fillimisht kishin kërkuar gjobë prej 2 milionë eurosh, duke i përmendur pagat e Stadler-it në Audi dhe Volkswagen si dhe pasurinë e tij financiare e në patundshmëri.
Procesi gjyqësor kundër Stadler-it, njëri prej proceseve më të njohura pas skandalit të dizelit, ka qenë duke u zhvilluar nga vitit 2020.
Prodhuesi Audi si dhe kompania që e ka në pronësi atë, Volkswagen, kishin pranuar më 2015 se kishin përdorur softuer ilegal për të mashtruar gjatë testimit të lirimit të gazrave nga veturat.
Sipas prokurorëve, inxhinierët i kishin manipuluar motorët e veturave në atë mënyrë që ata të ishin në përputhje me vlerat ligjore të lirimit të gazrave gjatë testimit, por jo edhe në rrugë. Stadler-i ishte akuzuar se kishte dështuar që të ndalte shkallën e veturave të manipuluara pasi skandali ishte bërë i ditur. Ai më parë i kishte mohuar akuzat.
Ish-zyrtari ekzekutiv i Audisë, Wolfgang Hatz, gjithashtu në gjykim me Stadler-in, u dënua me dy vjet burgim me kusht e 400 mijë euro gjobë, ndërsa i pandehuri i tretë, Giovanni P., u dënua me një vit e nëntë muaj burgim e 50 mijë euro gjobë.
Zyra e prokurorit dhe të akuzuarit mund të paraqesin ankesë ndaj vendimit deri më 4 korrik.