Ish-rebelët sirianë po ua marrin shtëpitë ish-oficerëve të Assadit në kompleksin ushtarak - NACIONALE

Ish-rebelët sirianë po ua marrin shtëpitë ish-oficerëve të Assadit në kompleksin ushtarak

1 vit më parë

nga NACIONALE

Familjet e oficerëve ushtarakë që kanë shërbyer gjatë pushtetit të ish-presidentit tashmë të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, po detyrohen që të largohen nga shtëpitë e tyre të subvencionuara në një kompleks afër Damaskut për t’ua lënë vendin ish-rebelëve fitimtarë dhe familjeve të tyre, thanë banorët dhe luftëtarët atje.

Kompleksi Muadamiyat al-Sham, ku janë strehuar qindra njerëz në më shumë se 20 objekte, është njëri nga disa qendrat e tilla që ishin ndarë për oficerët nën pushtetin e Assadit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përderisa ushtria po rindërtohet me forcat e ish-rebelëve, ndërsa oficerët e epokës së Assadit po demobilizohen, detyrimi për t’u larguar nga objektet strehuese nuk është befasi.

Emrat e fraksioneve rebele nën grupin kryesor fitimtar, Hayat Tahrir al-Sham, që e kapën kryeqytetin më 8 dhjetor, janë shkruar me ngjyrë në hyrjet e ndërtesave, mësa duket duke i ndarë ato për luftëtarë nga secili grup.

Tre luftëtarë në kompleks, katër gra që kanë qenë duke jetuar aty dhe një zyrtar lokal që po u jepte dokumente atyre që po largoheshin, thanë se familjeve të oficerëve u janë dhënë pesë ditë afat për t’u larguar.

“Do të fillojmë që t’i lëvizim shkollat e fëmijëve tanë, duke e nisur jetën tonë nga fillimi. Jam shumë e pikëlluar, zemra ime është e thyer, është jeta jonë, jeta e fëmijëve të mi” – tha Budour Makdid, 38 vjeçe, bashkëshorte e një ish-oficeri të inteligjencës ushtarake që po jetonte në Muadamiyat al-Sham.

Burri i saj, i cili i ka nënshkruar dokumentet për t’i njohur autoritetet e reja dhe e ka dorëzuar armën e tij, tashmë është kthyer në shtëpinë e familjes në provincën Latakia, ish-bastion i Assadit, ndërsa do t’i bashkohen edhe gruaja me fëmijët, tha ajo.

Njësoj si familjeve të tjera që do të largohen nga qendra, asaj i nevojitet një dokument nga autoritetet komunale ku thuhet se familja po heq dorë nga akomodimi dhe ku jepet leje për tërheqjen e gjësendeve të tyre.

Eidye Zaitoun, 52 vjeçe, po i fuste gjësendet e veta në qese të zeza, përderisa përgatitej për ta lënë banesën dydhomëshe e të nisej drejt bregdetit. Ajo tha se biri i saj në ushtri ishte vendosur në zonën bregdetare, gjithashtu, dhe se ajo nuk kishte arsye për të qëndruar aty.

Luftëtarët e HTS-së në kompleks nuk shfaqën shumë dhembshuri.

“Ne u zhvendosëm nga shtëpitë tona, nga rajonet tona në një natë pa hënë, vetëm me rrobat që i kishim në trup. Faleminderit Zotit, atyre tani u lejohet që t’i marrin gjërat e tyre” – tha një luftëtar, duke iu referuar personave që po largoheshin nga kompleksi./Nacionale

Lajme të ngjashme