Ish-fqinjët në Egjipt flasin për udhëheqësin e vrarë të al-Qaeda-s, Al-Zawahiri: Ishte i qetë
Udhëheqësi i grupit al-Qaeda, Ayman al-Zawahiri, që u vra nga një sulm amerikan me dron në Kabul, dukej i padëmshëm ndaj fqinjëve, kur ishte djalë i ri duke u rritur në periferi të Kajros.
“Vjetët kaluan dhe pastaj, krejt papritmas, dëgjuam se Ayman al-Zawahiri i bënte tërë ato gjëra, ai u bë diçka që ne nuk e kishim imagjinuar kurrë”, tha Attia Salama, ish-fqinji i tij në lagjen periferike, Maadi.
“Ai ishte i qetë, askush nuk i kushtonte fare vëmendje. Përvoja jonë me të dhe me familjen e tij ishte tërësisht normale, ne nuk e kishim idenë se ai ishte me atë lëvizje”, shtoi ish-fqinji.
Zawahiri, kirurg egjiptian, më pas ishte bërë udhëheqës i njërit prej grupeve më të frikshme militante të vendit, Xhihadi Islamik, duke i bindur burrat e rinj që të dalin kundër shtetit të përkrahur nga ShBA-ja, shkruan "Reuters".
Ai kishte orkestruar një fushatë në vitet e nëntëdhjeta për ta rrëzuar qeverinë dhe për të themeluar një shtet islamik. Mbi 1.200 egjiptianë qenë vrarë.
Autoritetet egjiptiane e kishin filluar shtypjen e Xhihadit Islamik pas një përpjekjeje për vrasjen e presidentit të atëhershëm, Hosni Mubarak, në qershor të vitit 1995, në Addis Ababa.
Zawahiri ishte kundërpërgjigjur duke urdhëruar një sulm ndaj ambasadës egjiptiane në Islamabad. Dy vetura të mbushura me lëndë shpërthyese kishin shkaktuar 16 viktima.

Zawahiri nuk doli nga lagjet e varfra të Kajros. I lindur më 1951 në një familje të njohur të Kajros, ai ishte nip i imamit të madh të Al Azhar-it, njëra nga xhamitë më të rëndësishme të Islamit.
Ish-fqinji i tij, Salama, qëndronte në një rrugë të mbushur me shitës perimesh, kafene, automekanikë dhe autobusë përderisa reflektonte për jetën e Zawahairi-t para se të ngrihej në rangjet e al-Qaeda-s, i vendosur që t’i terrorizonte Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.
“U befasuam, kur e pamë sigurimin shtetëror duke ardhur me dy vetura dhe duke i marrë atë e vëllanë e tij, Hussein-in, dhe duke i ndaluar”, tha Salama, duke iu referuar agjentëve të sigurisë shtetërore që punonin për Mubarakun.
“Ai endej e lutej dhe shkonte në klinikën e tij. Pastaj, papritmas, gjërat ndryshuan dhe sigurimi erdhi dhe e mori atë”, tha ish-fqinji.
Zawahiri ishte zhdukur pas lirimit nga burgu dhe ishte nisur për në Afganistan që të luftonte kundër trupave pushtuese sovjetike.
Ai ishte organizator i disa nga sulmeve më të dalluara të al-Qaeda-s. Për kapjen e tij ishin ofruar 25 milionë dollarë. Akuzohej për bashkërendimin e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA, kur ishin vrarë gati 3.000 njerëz.
Një i njohur tjetër i Zawahirit në lagjen egjiptiane, Hassan Izzeldin, tha se familja e tashmë të vrarit përbëhej nga njerëz të mirë e të njohur.
“Ai e zgjodhi rrugën për veten dhe ai duhet të fajësohet për fundin e tij”, tha ai./Nacionale