Inteligjenca amerikane: Izraeli s’është as afër shkatërrimit të Hamasit
Izraeli i ka dobësuar kapacitetet luftarake të Hamasit, por ende nuk është afër arritjes së qëllimit të luftës – eliminimit të këtij grupi – u thanë këtë javë kongresistëve disa zyrtarë të inteligjencës të ShBA-së, raporton gazeta “The New York Times”.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, në raportimin e të përditshmes së njohur theksohet se administrata e presidentit Biden ka ngritur dyshime për atë se sa realist është qëllimi i deklaruar i luftës së Izraelit për shkatërrimin e Hamasit, pas sulmit vdekjeprurës të këtij grupi në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë 1.200 njerëz e u morën peng 253 të tjerë, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Sipas raportimit të gazetës amerikane, në diskutimin e inteligjencës me dyer të mbyllura me anëtarë të Kongresit nuk u përfshinë bisedat për viktimat në Gaza, ku autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi thonë se gati 28 mijë palestinezë janë vrarë gjatë katër muajve të kaluar të luftës. Këto shifra nuk mund të vërtetohen në mënyrë të pavarur.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke folur pas takimit me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, theksoi përsëri të mërkurën se qëllimi i tij është që ta shkatërrojë Hamasin.
Qëllimet e luftës kanë shkaktuar përçare në Izrael, ku një pjesë e publikut e ka kritikuar vendimin e qeverisë për t’i dhënë përparësi mposhtjes së plotë të Hamasit para lirimit të pengjeve.
Muajin e kaluar, Gadi Eisenkot, ish-komandant i ushtrisë izraelite dhe anëtar në kabinetin e luftës, e kritikoi zhvillimin e luftës nga qeveria e Netanyahut, duke thënë se ajo duhet të bisedojë për një armëpushim për t’i liruar pengjet dhe duke e qortuar thirrjen e kryeministrit izraelit për “fitore totale”.
Zyrtarët amerikanë të inteligjencës janë përmbajtur nga ofrimi i vlerësimeve të saktësuara se sa luftëtarë të Hamasit janë vrarë, duke argumentuar se vlerësime të tilla nuk janë as të sakta, as kuptimplota.
Sidoqoftë, Netanyahu tha muajin e kaluar se Izraeli kishte shkatërruar dy të tretat e regjimenteve luftarake të Hamasit. Zyrtarët amerikanë thonë në mënyrë private se vlerësimet e tyre janë më të ulëta dhe ndoshta vetëm një e treta e luftëtarëve të Hamasit janë vrarë. Para luftës, vlerësimet për fuqinë luftarake të Hamsit silleshin nga 20 mijë deri në 25 mijë pjesëtarë.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë gjithashtu theksojnë se Shtetet e Bashkuara kanë mësuar në luftëra se llogaritja e numrit të armiqve të vrarë në një kryengritje ose operacion kundër terrorizmit është lojë mashtruese.
Operacionet që shkaktojnë vrasje të militantëve shpesh radikalizojnë të tjerë, duke i fryrë rangjet e organizatave armike. Për më tepër, zyrtarët amerikanë thonë se llogaritja e luftëtarëve të vdekur nuk jep ndonjë shenjë nëse një qeveri i ka adresuar çështjet kyçe që e drejtojnë luftën./Nacionale