Instituti polak i vendos macet në listën e specieve aliene pushtuese - NACIONALE

Instituti polak i vendos macet në listën e specieve aliene pushtuese

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një institut shkencor polak i ka klasifikuar macet shtëpiake si "specie aliene pushtuese", duke u bazuar në dëmin që ato shkaktojnë te zogjtë dhe kafshët e tjera të egra në natyrë - vendim që nuk është pritur mirë nga disa adhurues të maceve.

Por, Wojciech Solarz, një biolog në Akademinë shtetërore të Shkencave Polake, nuk ishte i përgatitur për reagimin mosmiratues të publikut në momentin kur vendosi të fusë "Felis catus", emri shkencor për macet e zakonshme të shtëpisë, në një bazë të dhënash kombëtare të drejtuara nga Instituti i Akademisë të Ruajtjes së Natyrës.

Sipas Associated Press, kjo bazë e të dhënave tashmë kishte 1,786 specie të tjera të listuara pa asnjë kundërshtim. Megjithatë, specia aliene pushtuese nr. 1787 është një krijesë aq e dashur në Poloni, saqë shpesh nderohet edhe në varrezat e rezervuara për macet dhe qentë.

Por, duke marrë parasysh numrin e zogjve dhe gjitarëve që macet gjuajnë, Solarz tha se ato kanë një ndikim të dëmshëm në biodiversitet.

Ai tha se “macja përmbush të gjitha kriteret për t’u vendosur në listën e specieve aliene pushtuese.”

Megjithatë, Dorota Suminska, autore e një libri të titulluar "Macja e lumtur", vuri në dukje shkaqe të tjera të tkurrjes së biodiversitetit, duke përfshirë një mjedis të ndotur dhe fasadat e ndërtesave urbane që mund të vrasin zogjtë gjatë fluturimit.

“Pyesni nëse njeriu është në listën e specieve aliene jo-invazive,” tha Suminska, duke argumentuar se macet po fajësohen padrejtësisht.

Por, Solarz tha për AP-në se disa raporte të mediave në lidhje me vendosjen e maces në këtë listë, kanë krijuar përshtypje të rreme se instituti po bënte thirrje që macet të eutanizoheshin.

Në fillim të këtij muaji, instituti i tij publikoi një postim në faqen e tij të internetit duke përmendur "polemikën" dhe duke qartësuar pozicionin e tij. Instituti theksoi se ishte "kundër çdo mizorie ndaj kafshëve". Por, gjithashtu argumentoi se klasifikimi i maces ishte në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, për sa i përket kategorizimit të maceve si "aliene", instituti vuri në dukje se "Felis catus", është zbutur ndoshta 10,000 vjet më parë nga qytetërimet e lashta të Lindjes së Mesme, që nga një pikpamje shkencore kjo specie mund të shihet si aliene “e huaj” në Evropë.

Instituti theksoi gjithashtu se gjithçka që rekomandonte ishte që pronarët e maceve të kufizonin kohën që kafshët e tyre e kalojnë jashtë gjatë sezonit të shumimit të shpendëve.

Lajme të ngjashme