India miraton vaksinën nasale kundër Covid-19
Në një nxitje për industrinë farmaceutike të vendit, të martën India ka miratuar një vaksinë të zhvilluar në vend, pa gjilpërë dhe të administruar me hundë.
Vaksina e re u zhvillua nga Bharat Biotech, prodhuesi i një vaksine tjetër intravenoze e miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nëntorin e kaluar.
Rregullatori i barnave në Indi i dha produktit të ri autorizimin emergjent të martën, i cili do të lejojë që vaksina të përdoret si dozë parësore nga çdo i rritur i pavaksinuar ose pjesërisht i vaksinuar, por jo si një përforcues.
"Ky hap do të forcojë më tej luftën tonë kolektive kundër pandemisë," është shprehur ministri i Shëndetësisë Mansukh Mandaviya në Twitter.
Në një deklaratë të dhënë, kompania Bharat Biotech ka thënë se ka kryer prova të fazës së tretë për vaksinën në 14 vende brenda Indisë, duke zbuluar se siguria e saj ishte “e krahasueshme” me vaksinat e tjera.
"Megjithë mungesën e kërkesës për vaksinat Covid-19, ne vazhduam zhvillimin e produktit në vaksinat intranazale për të siguruar që të jemi të përgatitur mirë me teknologjitë e platformës për sëmundjet infektive të ardhshme," është shprehur kreu i Bharat Biotech, Krishna Ella.
Sipas AFP-së, nuk është bërë ende e ditur se kur do të dalë produkti në treg, por kompania ka thënë se do të jetë “në kohën e duhur”.
Njoftimi nga India, vjen vetëm dy ditë pasi Kina lançoi vaksinën e parë me thithje kundër Covid, Convidecia Air, e cila administrohet përmes një nebulizatori.
Kujtojmë se, vitin e kaluar India u godit nga një rritje shkatërruese e rasteve të Covid-19, që e solli sistemin e saj të kujdesit shëndetësor pranë kolapsit.
Sipas shifrave zyrtare brenda pak javësh në Indi kanë vdekur më shumë se 200,000 njerëz.

