India liron nga burgu 11 burra të dënuar për përdhunim në grup të një gruaje myslimane - NACIONALE

India liron nga burgu 11 burra të dënuar për përdhunim në grup të një gruaje myslimane

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Zyrtarët kanë bërë të ditur se, njëmbëdhjetë burra hindu të dënuar me burgim të përjetshëm për përdhunimin në grup të një gruaje muslimane shtatzënë gjatë trazirave hindu-myslimane në vitin 2002 janë liruar me falje.

Burrat ishin dënuar në fillim të vitit 2008, por ditën e hënë kur India po festonte 75 vjetorin e fundit të sundimit britanik atyre u ofrua falje dhe u liruan nga burgu në Gujarat, Indi.

Dhuna në Gujarat, një nga trazirat më të këqija fetare të Indisë, çoi në vdekjen e më shumë se 1000 njerëzve, shumica prej të cilëve myslimanë. Më pas, Gujarat u drejtua nga kryeministri aktual indian Narendra Modi dhe partia e tij nacionaliste hindu Bharatiya Janata ende e sundon vendin.

Burokrati kryesor i Panchmahals, në Guajarat i tha Reuters se komiteti këshillues i burgjeve të rrethit kishte rekomanduar lirimin pasi kishte marrë parasysh kohën që 11 burrat e kishin kaluar në burg dhe sjelljen e tyre të mirë.

"Fakti është se ata kishin kaluar afër 15 vjet në burg dhe kishin të drejtë për falje," tha Sujal Jayantibhai Mayatra.

Zyrtarët indianë thanë se ligjet indiane i lejojnë të dënuarit të kërkojnë falje pas 14 vjetësh në burg.

Ndërsa, pamjet mediatike treguan një burrë që i ushqente të dënuarit me ëmbëlsirë jashtë burgut pasi kishte prekur këmbët e njërit prej tyre, një shenjë respekti.

Bashkëshorti i viktimës i tha Reuters se ishin të zhgënjyer sepse trazirat kishin vrarë gjithashtu shumë anëtarë të familjes.

"Ne kemi humbur familjen tonë dhe duam të jetojmë në paqe, por papritmas kjo ka ndodhur," tha Yakub Rasul. “Nuk kishim asnjë informacion paraprak për lirimin e tyre, as nga gjykatat, as nga qeveria. Këtë e morëm vesh vetëm nga mediat,” shtoi ai.

Politikanët dhe avokatët e opozitës thanë se lirimi binte ndesh me politikën e deklaruar të qeverisë për ngritjen e grave në një vend të njohur për dhunën ndaj tyre.

"Heqja e dënimit të të dënuarve për një krim të rëndë si përdhunimi në grup dhe vrasja është moralisht dhe etikisht e papërshtatshme," tha avokati i lartë Anand Yagnik, duke pyetur: "Cili është sinjali që po përpiqemi të dërgojmë?"

Lajme të ngjashme