I thanë në burg se gruaja e dy fëmijët i ishin vrarë, burri nga Gaza ribashkohet me ta
Bota e Shadi Abu Sido-s u shemb gjatë mbajtjes në ndalim në Izrael, kur rojat i thanë se bashkëshortja dhe dy fëmijët i ishin vrarë.
“U bëra histerik” – tha fotografi palestinez nga Gaza. Deri të hënën nuk e mori vesh se më të dashurit e tij ishin gjallë. Atë ditë, Sido u lirua si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit, e ndërmjetësuar nga ShBA-ja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Bashkëshortja e tij, Hanaa Bahlul, vrapoi korridorit të shtëpisë së familjes në Khan Younis dhe iu hodh në krahë. Sido më pas ua puthi faqet fëmijëve shumë e herë, duke i thënë fjalët “dashuria ime”, përderisa po i mbante vajzën dhe djalin për të cilët mendonte se nuk do t’i shihte kurrë më.
“E dëgjova zërin e saj, e dëgjova zërin e fëmijëve të mi, isha i magjepsur, nuk mund të shpjegohet, ishin gjallë. I pashë gjallë gruan dhe fëmijët. Imagjinoni mes vdekjes dhe jetës” – tha më tej palestinezi i liruar.
Fotoreporteri tha se ishte arrestuar në spitalin “Shifa” në pjesën veriore të Rripit të Gazës më 18 mars 2024.
Ai ishte në mesin e 1.700 palestinezëve të ndaluar nga forcat izraelite gjatë luftës shkatërruese në Gaza dhe i liruar të hënën, bashkë me 250 të burgosur që ishin dënuar ose dyshohej se ishin të përfshirë në sulme vdekjeprurëse, në këmbim të lirimit të 20 pengjeve izraelite që po mbaheshin nga Hamasi nga tetori i vitit 2023.
Abu Sido tha se është rrahur rëndë, i janë lidhur duart me pranga dhe i janë mbyllur sytë si dhe është detyruar që të qëndrojë ulur në gjunjë për periudha të gjata gjatë mbajtjes në burg.
Një zëdhënës i Shërbimit Izraelit të Burgjeve tha se të gjithë të burgosurit janë mbajtur sipas procedurave ligjore dhe të drejtat e tyre janë respektuar.
Shumë prej pengjeve izraelite të liruara nga Hamasi gjithashtu kanë thënë se kanë përjetuar torturime, sulme seksuale, abuzime psikologjike dhe mohim të ushqimit dhe kujdesit mjekësor.
Abu Sido, në anën tjetër, tha se burgu ku u mbajt ai ishte “varr për të gjallët”. “Kur u ktheva në Gaza, ishte sikur shpirti mu rikthye në trup, por kur e pashë shkatërrimin… si mund të filloj përsëri” – pyeti ai./Nacionale