HRW-ja thotë se shkatërrimi i rrjetit të ujit në Gaza nga Izraeli përbën akt gjenocidi
Shkatërrimi i furnizimit me ujë në Gaza nga Izraeli në nivele që janë nën nevojat minimale përbën akt gjenocidi e shfarosjeje si krim kundër njerëzimit, thuhet në një raport të organizatës së njohur për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW).
HRW-ja i ka hulumtuar sulmet izraelite ndaj infrastrukturës për furnizim me ujë në Gaza gjatë rrjedhës së luftës 14-mujore atje, raporton gazeta “The Guardian”.
Organizata për të drejtat e njeriut i akuzoi forcat izraelite për veprime të qëllimshme që për synim e kishin ndërprerjen e qasjes në ujë ta pastër në masë aq drastike, saqë popullsia është detyruar që të zgjedhë burime të kontaminuara, duke çuar në përhapjen e sëmundjeve vdekjeprurëse, sidomos në mesin e fëmijëve.
Veprimet e Izraelit kanë lënë të vdekur mijëra palestinezë dhe përbëjnë akte gjenocidi, argumenton më tej HRW-ja, duke cituar si dëshmi të qëllimit deklarata nga ministra të koalicionit qeverisës në vend se furnizimi i Gazës me ujë do të ndërpritej.
Raporti me 184 faqe, i titulluar “Shfarosja dhe Aktet e Gjenocidit”, vjen pasi në një raport të organizatës tjetër ndërkombëtare, “Amnesty International”, më herët këtë muaj u konkludua se Izraeli kishte kryer gjenocid në Gaza.
Më herët këtë vit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi urdhra të përkohshëm për Izraelin që ta ndalte ofensivën e tij dhe të ndërmerrte masa të menjëhershme për ta parandaluar kryerjen e gjenocidit, në pritje të vendimit të gjykatës për atë nëse ky shtet tashmë ishte duke kryer një krim të tillë.
Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat se ka kryer gjenocid ose krime kundër njerëzimit në Gaza. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzat i ka quajtur “të rreme dhe mizore”.
Pretendimet e paraqitura nga HRW-ja nuk janë aq të gjera sa ato të organizatës “Amnesty International”, pasi ato përqendrohen në mënyrë specifike në furnizimin e Gazës me ujë, por organizata thotë se dëshmitë janë dërrmuese që Izraeli e ka përdorur ujin si armë kundër popullsisë palestineze kolektivisht, me rezultate vdekjeprurëse.