"Hodhëm granata dore": Fëmijë rus që nga mosha 8-vjeçare provojnë ushtrime ushtarake
Dhjetëra nxënës iu bashkuan këtë javë një aventure në jug të Rusisë, por nuk bëhet fjalë për kamp të zakonshëm pushimesh.
Përderisa instruktorët ushtarakë i inkurajonin me zë të lartë, 83 fëmijët, të moshave nga 8 deri 17-vjeçare, morën pjesë në një “marsh rruge” në bregun e Lumit Don, duke vrapuar e duke u zvarritur në radhë barkas nëpër rërë dhe në ujë të cekët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shumë prej fëmijëve kishin veshur uniforma kamuflimi. Disa prej tyre mbanin armë të vërteta, ndërsa të tjerë lodra.
Ushtrimi, i cili u mbikëqyr nga ushtarë që kanë marrë pjesë në luftën e Ukrainës, ishte pjesë e një trendi më të gjerë në Rusi për t’i aftësuar edhe fëmijët e vegjël rreth shkathtësive për shërbim të mundshëm ushtarak.
Njëri nga pjesëmarrësit më të rinj, 8-vjeçari Ivan Glushchenko, u përgjigj menjëherë, kur u pyet se cila pjesë do t’i mbetej më së shumti në kujtesë.
“Mënyra se si hodhëm granata dhe shkrepëm të shtëna simuluese” – tha ai.
“Pse jam këtu? Sepse dua ta lidh të ardhmen time me shërbimin ushtarak, t’i shërbej vendit tim dhe të jem besnik ndaj kauzës sime deri në fund” – tha njëri nga djemtë më të rritur, Antoni.
Një tjetër, i quajtur David, tha se “marshi i rrugës” i ka mundësuar atij që t’i testojë kufijtë e vetes. “Kjo më lejoi që të marr vesh se sa e fortë është fuqia e vullnetit tim” – tha ai.
Kritikët si organizata e pavarur për të drejtat e fëmijëve, “Ne Norma”, thonë se përfshirja e të rinjve në trajnime të stilit ushtarak dhe mësimi i tyre në shkolla se si t’i përdorin armët dhe si të ndërtojnë dronë ushtarakë është një formë e indoktrinimit dhe propagandës.
Megjithatë, autoritetet ruse thonë se ky lloj arsimimi shërben për ta rrënjosur patriotizmin e shëndoshë dhe për ta ndërtuar qëndrueshmërinë kombëtare.
Në mesin e instruktorëve në Rostov është Alexander Shopin, ushtar rus që ishte plagosur në Ukrainë dhe është duke pritur që të futet në operacion. E bija e tij ishte njëra nga pjesëmarrëset në ushtrim.
Sipas tij, të bijës i pëlqeu ushtrimi, edhe pse iu duk i vështirë. “Të vrapojë si pjesë e një ekipi dhe të mos i lërë në baltë shoqet e saj – kjo i pëlqen asaj” – tha ushtari rus.
Instruktori Vladimir Yanenko tha se fëmijët nxorën “të kuptuar dhe njohuri” nga ushtrimi.
“Trajnimi patriotik është shumë i rëndësishëm. Ata nuk duan që të dalin rrugëve. Është shumë më shumë zbavitje për ta këtu” – pretendoi ai./Nacionale/Nasuf Abdyli