'Historike': Kisha e Kievit mban për herë të parë meshën e Krishtlindjeve ortodokse në gjuhën ukrainase
Për herë të parë ndër shekuj, Kisha e Kievit ka mbajtur meshën e Krishtlindjeve ortodokse në gjuhën ukrainase.
Lidhur me këtë gjë ka reaguar kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, duke u ankuar për ndryshimin e kontrollit të një prej kishave ortodokse më të famshme në Kiev.
Katedralja e Fjetjes, pjesë e manastirit historik Kyiv-Pechersk Lavra, është kthyer në kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë ukrainase pas skadimit më 31 dhjetor 2022 të një kontrate për përdorimin e ndërtesës nga një degë e kishës ukrainase, Kisha Ortodokse e Ukrainës (UOC) - e cila kishte lidhje të ngushta me Moskën.
Bëhet e ditur se qeveria ukrainase ka pezulluar dhënien me qira të UOC-së për Katedralen e Fjetjes dhe Kishën e Tryezës – e njohur gjithashtu si Kisha e Tabernakullit – duke i kthyer ato nën kontrollin e plotë të shtetit në muajin janar, e duke e bërë të mundur edhe mbajtjen e meshës në gjuhën ukrainase.
Megjithatë, ky ndryshim nuk është mirëpritur nga Patriarku Kirill – një mbështetës i vendosur i luftës – i cili përmes një video-mesazhi ka kërkuar lutje ‘për vëllezërit tanë në Ukrainë që po dëbohen nga Lavra e Kievit-Pechersk’.
"Ajo Lavra ... për shekuj ishte një roje e një ortodoksie të vërtetë të padoktoruar," ka shtuar Kirill për kompleksin, i cili njihet gjithashtu si Manastiri i Shpellave të Kievit dhe është një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Mitropoliti i Kievit dhe gjithë Ukrainës, Epiphanius e ka quajtur meshën një "ngjarje historike" të mbajtur në "rrethana historike, në një vend historik".
Deri në meshën e së shtunës, shërbesat në kishë kryheshin në sllavishten e vjetër kishtare, e cila përdoret si gjuhë liturgjike nga disa kisha ortodokse dhe katolike lindore.

