Putini e çmon Kishën Ortodokse Ruse për përkrahjen e ushtrisë ruse në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të shtunën e çmoi Kishën Ortodokse Ruse për përkrahjen e forcave të Moskës që po luftojnë në Ukrainë gjatë mesazhit për Krishtlindje Ortodokse, i hartuar për t’i grumbulluar njerëzit prapa vizionit të tij për Rusinë moderne.
Kremlini e publikoi mesazhin e Putinit, pasi presidenti rus mori pjesë në meshën e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse i vetëm brenda një katedrale të Kremlinit, pa u bashkuar me besimtarët në festën publike.
Në mesazhin e presidentit, të shoqëruar në uebfaqen e Kremlinit me një fotografi ku ai shihet para ikonave fetare, Putini bëri të qartë se e sheh Kishën Ortodokse Ruse si forcë të rëndësishme stabilizuese për shoqërinë në një kohë që ai e ka paraqitur si përplasje historike mes Rusisë dhe Perëndimit për Ukrainën dhe për çështje të tjera.
“Është kënaqësi e thellë që të vërehet kontributi i jashtëzakonshëm konstruktiv i Kishës Ortodokse Ruse dhe i besimeve të tjera të krishtera në unifikimin e shoqërisë, ruajtjen e kujtesës sonë historike, edukimin e rinisë dhe fuqizimin e institucionit të familjes”- tha presidenti rus.
“Organizatat kishtare i japin përparësi... përkrahjes së luftëtarëve tanë që po marrin pjesë në operacionin special ushtarak (në Ukrainë). Një punë e tillë masive, komplekse dhe vërtet vetëmohuese meriton respekt të sinqertë”- shtoi ai.
Të premten, Putini urdhëroi armëpushim 36-orësh për ta shënuar festën, por Ukraina e cilësoi këtë masë si mashtrim për të blerë kohë dhe për t’u rigrupuar. Forcat ruse dhe ukrainase kanë shkëmbyer zjarr artilerie pas njoftimit të Putinit për armëpushimin e njëanshëm.
Shumë të krishterë ortodoksë e festojnë Krishtlindjen më 7 janar, por përkrahja e Kishës Ortodokse Ruse për luftën e Moskës në Ukrainë ka zemëruar shumë besimtarë ortodoksë ukrainas dhe e ka ndarë Kishën Ortodokse në botë.
Nga 260 milionë të krishterë ortodoksë në botë, rreth 100 milionë ndodhen në Rusi dhe një pjesë e ortodoksëve në vende të tjera janë në unitet me Moskën.
Ukraina ka rreth 30 milionë besimtarë ortodoksë, të ndarë në Kishën Ortodokse Ukrainase të Patriarkatit të Moskës dhe në dy kisha të tjera ortodokse, njëra prej të cilave është autoqefale ose e pavarur, Kisha Ortodokse Ukrainase.
