Hamasi “mund të ketë përdorur armë” të Koresë së Veriut në sulmin ndaj Izraelit - NACIONALE

Hamasi “mund të ketë përdorur armë” të Koresë së Veriut në sulmin ndaj Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pavarësisht mohimeve të Phenianit, një video e militantëve dhe armët e sekuestruara nga Izraeli duket se tregojnë prova që luftëtarët e Hamasit kanë përdorur armë nga Korea e Veriut për sulmin e tyre më 7 tetor në Izrael.

Sipas Associated Press, zyrtarë të Koresë së Jugut, dy ekspertë të armëve të Koresë së Veriut dhe një analizë që u është bërë amrmëve të kapura në fushën e betejës në Izrael, tregojnë se Hamasi ka përdorur raketa F-7 të Phenianit, një armë kjo që zakonisht përdoret kundër automjeteve të blinduara.

AP shkruan se këto prova hedhin dritë mbi botën e errët të dërgesave të paligjshme të armëve që përdor Korea e Veriut që është e goditur nga sanksionet, si një mënyrë për të financuar programet e veta të armëve konvencionale dhe bërthamore.

Një nga ekspertët e armëve ka treguar se raketa F-7 është dokumentuar më herët edhe në Siri, Irak, Liban dhe Rripin e Gazës.

“Korea e Veriut ka mbështetur prej kohësh grupet militante palestineze dhe armët e Koresë së Veriut janë dokumentuar më parë në mesin e furnizimeve të ndaluara,”- është shprehur eksperti Jenzen-Jones për AP-në.

Ndërkohë si provë tjetër e përdorimit të këtyre armave, janë përdorur edhe imazhe të publikuara nga Hamasi, ku duken luftëtarë të tyre me një lëshues me granatë raketore me shirit të kuq dallues në kokën e armës dhe elemente të tjera në armë “që përputhen me F-7-në e Phenianit”.

Ndërkohë në një konferencë të mbajtur ditën e martë, shefat e përbashkët të shtabit të Koresë së Jugut kanë identifikuar në mënyrë specifike F-7 si një nga armët e Koresë së Veriut që besonin se Hamasi e ka përdorur në sulm.

Për komente në lidhje me këtë zhvillim agjencia e lajmeve njofton se e ka kontaktuar ushtrinë izraelite, megjithatë për shkak të luftës së vazhdueshme me Hamasin, ushtria nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve.

Në anën tjetër, Pheniani ka mohuar se Hamasi ka përdorur armët e tij, duke i cilësuar raportimet si “thashetheme të pabaza dhe të rreme”.

Lajme të ngjashme