Hamasi e urdhëron Abu Shababin të dorëzohet brenda 10 ditësh, e akuzon për tradhti - NACIONALE

Hamasi e urdhëron Abu Shababin të dorëzohet brenda 10 ditësh, e akuzon për tradhti

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministria e Brendshme në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, të mërkurën e urdhëroi udhëheqësin e një klani të armatosur mirë që po e sfidon kontrollin e enklavës palestineze nga Hamasi që të dorëzohet dhe të ballafaqohet me gjykim, duke e akuzuar për tradhti.

Në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme thuhet se vendimi u mor nga ajo që e quajti “Gjykata Revolucionare”. Yasser Abu Shabab, i cili nuk e njeh autoritetin e Hamasit dhe i akuzon militantët e këtij grupi për dëmtim të interesave të Gazës, ka 10 ditë afat për t’u dorëzuar, thuhet në deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjykata iu bëri thirrje palestinezëve që t’i njoftojnë zyrtarët e sigurisë të Hamasit për vendndodhjen e Abu Shababit, i cili deri më tani ka mbetur larg duarve të tyre në zonën e qytetit Rafah, në pjesën jugore të Gazës, e cila kontrollohet nga trupat izraelite. Nuk pati përgjigje të menjëhershme nga grupi i tij rreth urdhrit për dorëzim.

Hamasi, i cili e akuzon Abu Shababin për plaçkitje të kamionëve me ndihma të OKB-së dhe pretendon se ai mbështetet nga Izraeli, ka dërguar disa nga luftëtarët e tij më të lartë për ta vrarë atë, i thanë muajin e kaluar agjencisë “Reuters” dy burime brenda Hamasit dhe dy burime të tjera të afërta me situatën.

Grupi i Abu Shababit i kishte thënë agjencisë “Reuters” atë kohë se është një forcë popullore që i mbron ndihmat humanitare nga plaçkitja duke i shoqëruar kamionët me ndihma dhe mohon se merr përkrahje nga Izraeli ose që ka kontakte me ushtrinë izraelite. Grupi gjithashtu e ka akuzuar Hamasin për dhunë dhe për shtypje të pakënaqësive.

Lajme të ngjashme