Halle – halle kjo botë: Në Kore të Jugut bëhet thirrje që të mos hahen rrëmojëse të fërguara
Njerëzit në botë kanë halle të ndryshme. Në një paralajmërim shëndetësor nga Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Ilaçeve e Koresë së Jugut bëhet thirrje që njerëzit të mos hanë rrëmojëse dhëmbësh, të bëra me niseshte e që marrin formë që u ngjan patateve të fërguara, pasi ky veprim u përhap shumë në rrjete sociale.
Në video të publikuara në rrjete sociale, njerëzit shihen duke ngrënë rrëmojëse me niseshte me fërgim të thellë, duke u shtuar mëlmesa të ndryshme, përfshirë djathin e grirë. Këto video kanë marrë mijëra pëlqime e shpërndarje në “TikTok” e “Instagram”, raporton agjencia “Reuters”.
“Siguria e tyre si ushqim nuk është vërtetuar. Ju lutemi që të mos i hani”- shkroi të mërkurën në rrjetin X Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Ilaçeve.
Kjo ministri shtoi se po përhapeshin shumë videon e rrëmojëseve duke u fërguar në vaj e duke u ngrënë.
Ngjyra ushqimore përdoret për t’u dhënë këtyre rrëmojëseve pamje të gjelbër, të bëra me patate të ëmbla ose niseshte misri, përbërës që shihen si miqësorë ndaj mjedisit dhe të biodegradueshëm.
Shpesh të përdorura në restorante të Koresë së Jugut, këto rrëmojëse mund të shfrytëzohen edhe për të kapur ushqime që zakonisht hahen me gishta.
Shfaqjet e ngrënies në internet, të quajtura “Mukbang”, janë të popullarizuara në shtetin e largët aziatik. Në to shfaqen shpesh njerëz që hanë sasi të jashtëzakonshme të ushqimit ose ushqime të pazakonshme.