Golani u bën thirrje sirianëve të festojnë pa të shtëna pas kaosit vdekjeprurës në Raqqa - NACIONALE

Golani u bën thirrje sirianëve të festojnë pa të shtëna pas kaosit vdekjeprurës në Raqqa

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i rebelëve sirianë, Mohammad al-Golani, u ka bërë thirrje banorëve të vendit të tij që ta festojnë rënien e regjimit të Bashar al-Assadit pa të shtëna me armë, pasi disa të shtëna aksidentale shkaktuan rrëmujë vdekjeprurëse në qytetin verior, Raqqa.

Golani, udhëheqës i grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dha një video-mesazh të premten, i veshur me këmishë e jelek të bardhë, ndryshe nga paraqitjet e tij të mëparshme me rroba me ngjyra ushtarake, raporton televizioni CNN.

“Dua që ta përgëzoj popullin sirian për fitoren e revolucionit të bekuar dhe e ftoj atë që të dalë në rrugë për ta shprehur gëzimin e vet pa shkrepur plumba dhe pa i frikësuar njerëzit. Pas kësaj, le ta ndërtojmë vendin” – tha Golani.

Porosia e tij erdhi pasi qindra njerëz dolën në rrugët e qytetit Raqqa të enjten për ta festuar rrëzimin e diktatorit Bashar al-Assad, kur një burri i humbi kontrolli mbi mitralozin e tij dhe gabimisht hapi zjarr në drejtim të kalimtarëve, sipas dëshmitarëve dhe sipas një grupi të aktivistëve në Raqqa.

Pas të shtënave, shpërthyen përleshje mes burrave të rinj e sigurisë lokale të lidhur me Forcat Demokratike Siriane, të cilat përkrahen nga ShBA-ja. Kjo çoi te hedhja e gurëve, ndërsa forcat lokale të sigurisë u kundërpërgjigjën me të shtëna armësh.

Të paktën një person u vra dhe 15 të tjerë u plagosën, sipas një gazetari lokal dhe dëshmitarëve.

Televizioni CNN nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur rrethanat e incidentit.

Tensionet kanë qenë të larta në Raqqa mes Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët dhe Ushtrisë së Sirisë së Lirë, që përkrahet nga Turqia. Disa banorë u kanë bërë thirrje Forcave Demokratike Siriane që t’ia dorëzojnë kontrollin e qytetit Ushtrisë së Sirisë së Lirë. Raqqa banohet kryesisht nga arabët, ndërsa kurdët janë pakicë./Nacionale

Lajme të ngjashme