Goditja “rrufe”: Çfarë dimë deri më tani për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit?
Militantët e grupit Hamas hynë në territorin e Izraelit në orët e hershme të së shtunës, me gjasë duke vënë nën kontroll disa komunitete në pjesën jugore të vendit. Luftimet janë duke vazhduar ende në disa vatra.
Sipas autoriteteve izraelite, Hamasi ka hedhur më shumë se dy mijë raketa në drejtim të Izraelit. Sipas shërbimeve emergjente izraelite, deri më tani raportohet për të paktën 40 të vdekur e 779 persona të plagosur janë dërguar në spitale. Në anën tjetër, mediat palestineze raportojnë se numri i të vdekurve në Gaza është katër.
Izraeli është kundërpërgjigjur. Forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme ajrore në Gaza. Ndërkohë raportohet se disa pengje izraelite janë dërguar në Gaza.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në një video-adresim për popullin, deklaroi: “Jemi në luftë dhe do ta fitojmë atë.”
Në anën tjetër, ministrja palestineze e Shëndetësisë, May Alkaila, e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjitha spitalet, sipas agjencisë së lajmeve “Wafa”. Kjo agjenci tha se disa palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur të shtunën.
Kritika për forcat izraelite
Ish-komandanti i forcave detare izraelite, Gjeneral Major Eli Marom, e ka kritikuar ashpër reagimin e forcave të sigurisë ndaj sulmit të Hamasit në pjesën jugore të Izraelit.
“Tërë Izraeli po e pyet veten: Ku janë Forcat Mbrojtëse të Izraelit, ku është policia, ku është siguria”- tha ish-zyrtari i lartë ushtarak në kanalin “Channel 12”. “Është një dështim kolosal, hierarkitë thjesht dështuan, me pasoja të mëdha”- shtoi ai.
Edhe korrespondenti i sigurisë i televizionit BBC, Frank Gardner, e ka cilësuar dështim kolosal të inteligjencës izraelite arritjen e militantëve palestinezë për t’u futur brenda territorit të vendit dhe për të sulmuar.
Reagimet nga bota
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përshkruar sulmin ndaj Izraelit si “terrorizëm në formën e tij më të neveritshme”, raporton televizioni BBC.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar dhunën dhe u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të vetëpërmbahen nga hakmarrja.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka dënuar fuqishëm sulmet, duke thënë: “E shpreh solidaritetin tim të plotë me viktimat, familjet dhe të dashurit e tyre.”
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se “dhuna dhe raketat kundër civilëve të pafajshëm duhet të ndalen tash”.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha se vendi i tij u bën thirrje palëve “që të veprojnë me vetëpërmbajtje pas ngjarjeve në Izrael këtë mëngjes dhe të qëndrojnë larg hapave impulsivë që do ta eskalojnë tensionin”.
Arabia Saudite u ka bërë thirrje të dyja palëve që ta ndërpresin menjëherë eskalimin e situatës.
Ndërkohë, Irani e ka mbështetur sulmin e palestinezëve ndaj Izraelit dhe i ka përgëzuar luftëtarët. “Ne do që qëndrojmë pranë luftëtarëve palestinezë deri në çlirimin e Palestinës dhe Jerusalemit”- ka thënë Rahim Safavi, këshilltar i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.


