Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendos që mund t’i ndalen fondet shtetërore partisë ekstremiste, Die Heimat
Gjermania mund t’ia ndalë financimin publik partisë radikale së të djathtës ekstreme, Die Heimat, tha të martën Gjykata Kushtetuese e vendit në një vendim të rëndësishëm që nxiti debat për atë nëse një masë e ngjashme duhet të merret edhe kundër partisë nacionaliste, AfD.
Gjykata në Karlsruhe e justifikoi vendimin e saj për t’i ndërprerë financimin shtetëror dhe lirimin nga taksat për gjashtë vjet duke thënë se Partia Demokratike Kombëtare (NPD) dhe pasardhësja e saj, Die Heimat, synojnë që ta minojnë ose ta eliminojnë sistemin demokratik të vendit, raporton agjencia “Reuters”.
Ky është vendimi i parë i këtij lloji.
Dhoma e lartë dhe dhoma e ulët e Kuvendit si dhe Qeveria e Gjermanisë kishin dorëzuar më 2019 kërkesë në këtë gjykatë për t’ia ndalur fondet publike partisë pas një ndryshimi në Ligjin Themelor të Gjermanisë për t’ua parandaluar partive radikale marrjen e fondeve shtetërore.
“[Die Heimat] synon që ta zëvendësojë sistemin kushtetues ekzistues me një shtet autoritar të mbështetur në një “komunitet popullor” etnik”- tha gjykata, duke shtuar se politikat e partisë nuk e respektojnë dinjitetin njerëzor të pakicave dhe imigrantëve.
Në vitin 2017, gjykata kishte thënë se NPD-ja ngjante me partinë naziste të Hitlerit, por kishte vendosur që të mos e ndalonte me ligj, sepse ishte shumë e dobët për ta rrezikuar demokracinë.
Ky vendim po përcillet për së afërmi, përderisa politikanët kryesorë po mundohen që t’i kundërpërgjigjen rritjes së popullaritetit të partisë së të djathtës ekstreme, AfD, që po del e dyta në shumicën e anketave. AfD-ja po del e para në anketa në tri shtete në lindje të Gjermanisë, ku ka zgjedhje këtë vit.
Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha se ky vendim u dërgon sinjal të qartë forcave anti-demokratike.
“Vendimi vjen në një kohë kur ekstremizmi i së djathtës ekstreme është kërcënimi më i madh ekstremist ndaj demokracisë sonë. Ne do të ndërmarrim veprime vendimtare kundër të gjithë atyre që po e përgatitin terrenin për dhunë ekstremiste të së djathtës ekstreme”- tha ajo.