Gjykata amerikane ia bllokon Trumpit urdhrin për sanksione ndaj atyre që punojnë me GjNP-në
Një gjykatëse federale të premten e bllokoi zbatimin e urdhrit ekzekutiv të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që i ka në shënjestër ata që punojnë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP).
Vendimi i gjykatësit erdhi pas një padie të paraqitur në prill nga dy avokatë të të drejtave të njeriut, të cilët e sfiduan urdhrin e Trumpit të nënshkruar më 6 shkurt dhe me të cilin autorizoheshin sanksione potenciale të gjera ekonomike e të udhëtimit ndaj personave që punojnë në hetimet e GjNP-së ndaj shtetasve të ShBA-së ose të vendeve aleate të saj, si Izraeli, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në vendimin e saj, gjykatësja e Qarkut, Nancy Torresen, urdhrin e Trumpit e quajti shkelje antikushtetuese ndaj lirisë së shprehjes.
“Urdhri ekzekutiv duket se kufizon në mënyrë substanciale më shumë të shprehur se që është e nevojshme për ta shtyrë atë fund” – shkroi gjykatësja.
“Urdhri ekzekutiv gjerësisht ndalon çfarëdo shërbimi të mbështetur në të shprehur nga i cili përfiton prokurori, pavarësisht nëse ato shërbime përfituese lidhen me një hetim të GjNP-së ndaj Shteteve të Bashkuara, Izraelit, ose një aleati tjetër të ShBA-së” – thuhet më tej në vendim.
Shtëpia e Bardhë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Me urdhrin ekzekutiv i ishin vendosur sanksione prokurorit të GjNP-së, Karim Khan, shtetas britanik. Ai është vendosur edhe në një regjistër të individëve të sanksionuar nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit.
Shtetasit amerikanë që ofrojnë shërbime në të mirë të Khanit ose individëve të tjerë të sanksionuar do të mund të ballafaqoheshin me ndëshkime civile dhe penale, sipas urdhrit ekzekutiv, i cili është dënuar nga GjNP-ja dhe dhjetëra shtete./Nacionale