Mospajtime për "raketën në Poloni" me Zelenskyin që shokon botën: Çka ndodhi gjatë ditës në luftën Rusi-Ukrainë
Dita 267 e luftës Rusi-Ukrainë është përcjellur me zhvillime të reja. Nisur që në mëngjes me sulme raktore ruse në qytete ukrainase e me diskutime të shumta në lidhje me rënien e raketave në Poloni ditën e martë.
Nacionale, në vazhdim sjell të përmbledhura ngjarjet më kyçe.
- Të enjten në mëngjes Rusia ka nisur një valë tjetër sulmesh me raketa dhe dronë në të gjithë territorin e Ukrainës. Sulmet e fundit shënojnë sulmin e gjashtë masiv që nga fillimi i tetorit për të cilat Ukraina thotë se kanë për qëllim shkatërrimin e sistemit energjetik të vendit.
- Ukraina ka konfirmuar sulme në infrastrukturën kritike në Odesa dhe Dnipro, ku është raportuar për 17 të plagosur.
- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se ShBA-ja “nuk kishte parë asgjë deri më tani që të kundërshtonte” vlerësimin paraprak të Polonisë se mbrojtja ajrore e Ukrainës ishte fajtore për incidentin me raketa të së martës.
- Presidenti amerikan Joe Biden, ka kundërshtuar komentin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy se raketat e rëna në Poloni nuk ishin me origjinë ukrainase, duke thënë se “kjo nuk është ajo që sugjerojnë provat”.
- Pas goditjes me raketa në Poloni, Ukraina ka njoftuar se ka rënë dakord me Poloninë për “bashkëpunim në mënyrë të hapur”, lidhur me çështjen. Ukraina këmbënguli dje se goditja nuk ishte shkaktuar nga raketat e mbrojtjes ajrore ukrainase, që ishte shpjegimi "i mundshëm" i dhënë nga Polonia dhe NATO.
- Kremlini tha se nuk mund të imagjinonte përfshirjen në negociata "publike" me Ukrainën. Në një bisedë me gazetarët, zëdhënësi Dmitry Peskov akuzoi Kievin për ndryshimin e pozicionit në lidhje me bisedimet e mundshme të paqes Rusi-Ukrainë, duke shtuar se lufta do të vazhdojë pavarësisht nga rënia e temperaturave.
- Sipas The Guardian, një pjesëtar i forcave të armatosura të Rusisë – pjesëmarrës në pushtimin e Ukrainës - ka kërkuar azil politik në Madrid.
- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai beson se, “as Rusia dhe as ShBA nuk planifikojnë të përdorin armë bërthamore.” Komentet e Erdoganit erdhën pasi drejtori i agjencisë qendrore të inteligjencës amerikane (CIA) William Burns dhe Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të jashtëm të inteligjencës ruse SVR, zhvilluan një takim në Ankara – kontakti i parë i nivelit të lartë ballë për ballë ShBA-Rusi që nga nisja e luftës në muajin shkurt.
- Udhëheqësit botërorë e kanë mirëpritur lajmin e arritjes së një marrveshjeje për eksportet ruse e ukrainase nga Deti i Zi edhe për 120 ditë të tjera.
- Një gjykatë holandeze ka shpallur fajtorë tre persona – dy rusë dhe një ukrainas - për vrasjen e 298 personave në rrëzimin e fluturimit MH17, nga një raketë ruse tokë-ajër në kohën kur po fluturonte mbi Ukrainën lindore në vitin 2014.


