Gjermania synon t’u japë më shumë kompetenca agjencive të inteligjencës - NACIONALE

Gjermania synon t’u japë më shumë kompetenca agjencive të inteligjencës

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Qeveria e Gjermanisë dëshiron që t’u japë agjencive të inteligjencës kompetenca më të gjera për t’u ballafaquar me shtimin e rreziqeve hibride, hap i ndjeshëm më një shtet ku operacionet e inteligjencës mbeten shumë të kufizuara nga masat e vendosura pas Luftës së Dytë Botërore që e kanë për qëllim parandalimin e përsëritjes së abuzimeve naziste.

Shumë sulme ndaj Gjermanisë viteve të fundit janë parandaluar vetëm duke iu falënderuar të dhënave të inteligjencës që janë ofruar nga vendet aleate, agjencitë e të cilave operojnë me kompetenca më të gjera, pranoi këtë javë Thorsten Frei, shef i zyrës së kancelarit gjerman, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Frei, i cili vjen nga radhët e konservatorëve në pushtet, po bën thirrje për një “ndryshim paradime” që do ta lejonte agjencinë për inteligjencë të jashtme, BND, të përdorë mjete më të ndërfutura të vëzhgimit, përfshirë qasjen në telefona mobilë privatë dhe aftësinë për të ruajtur të dhëna deri në një vit.

“Qëllimi është që të jemi në hapa të barabartë me partnerët tanë evropianë në fushën e grumbullimit të inteligjencës” – i tha ai gazetës “Tagesspiegel”.

“Shërbimet e inteligjencës bashkëpunojnë në mbarë botën dhe valuta e vetme konkrete që vlen është informacioni” – shtoi Frei.

“Në një kohë që po bëhet gjithnjë më shumë kërcënuese, ne nuk mund të ndalemi vetëm te grumbullimi i inteligjencës. Për ta mbrojtur vendin tonë, ne gjithashtu duhet t’i vendosim shërbimet tona në një pozicion për të kryer operacione të caktuara” – tha më tej zyrtari gjerman.

Sipas tij, përtej mbledhjes dhe analizimit të të dhënave, BND-ja duhet gjithashtu të ketë kompetenca për t’i penguar radio-lidhjet gjatë sulmeve me dronë si dhe për t’i bërë jofunksionale të ashtuquajturat kuleta të kriptovalutave që përdoren për të financuar vrasje ose akte sabotimi.

Frei tha se legjislacioni për reformimin e agjencisë duhet të miratohet këtë vit, edhe pse ka gjasa që të ballafaqohet me rezistencë nga partitë opozitare. Ende nuk është dorëzuar ndonjë projektligj për këtë çështje në Bundestag./Nacionale

Lajme të ngjashme