Gjenerali ukrainas thotë se forcat ruse janë përzënë nga disa pozicione në Bakhmut - NACIONALE

Gjenerali ukrainas thotë se forcat ruse janë përzënë nga disa pozicione në Bakhmut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gjeneral i ushtrisë ukrainase tha të hënën se njësitet ukrainase i kanë përzënë forcat ruse nga disa pozicione në Bakhmut gjatë betejave të ashpra. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë beson se mbi 20 mijë luftëtarë rusë janë vrarë në Ukrainë nga dhjetori.

“Situata (në Bakhmut) është goxha e vështirë. Në të njëjtën kohë, në pjesë të caktuara të qytetit, armiku është kundërsulmuar nga njësitet tona dhe ka lënë disa pozicione” ditëve të fundit, sipas komandantit të forcave tokësore ukrainase, Oleksandr Syrskyi.

Beteja 10-mujore për qytetin lindor ukrainas është bërë me rëndësi simbolike për të dyja palët dhe qendër e luftës me pak ndryshime në vijën e frontit që nga fundi i vitit të kaluar. Të dyja palët po mundohen që të shënojnë ndonjë sukses më të madh.

Të hënën, Rusia hodhi një varg të ri raketash drejt Ukrainës natën, duke vrarë dy persona në pjesën lindore e duke dëmtuar dhjetëra shtëpi e ndërtesa të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Rusia i ka shteruar rezervat e veta ushtarake dhe forcat e armatosura dhe se rreth 100 mijë trupa ruse janë vrarë ose janë plagosur në Ukrainë në pesë muajt e fundit. Nga 20 mijë të vrarët, gjysma kanë qenë nga grupi “Ëagner”, sipas vlerësimit të ShBA-së.

Shefi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin, tha të hënën se luftëtarët e tij kanë nevojë për rreth 300 tonë predha artilerie në ditë për sulmin në Bakhmut, por se janë duke e marrë vetëm një të tretën e kësaj sasie.

“Treqind tonë në ditë janë sa dhjetë kontejnerë mallrash – aspak shumë” – tha Prigozhini, i cili shpesh është përplasur me udhëheqësit e fushës së mbrojtjes në Rusi për zhvillimin e luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë tjetër të hënën në mbrëmje, ai pretendoi se trupat e tij kanë përparuar rreth 120 metra në Bakhmut, por se për këtë kanë humbur 86 luftëtarë.

Lajme të ngjashme