Guvernatori rus thotë se Ukraina e ka bombarduar rajonin Bryansk të Rusisë - NACIONALE

Guvernatori rus thotë se Ukraina e ka bombarduar rajonin Bryansk të Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase bombarduan të martën herët një fshat në rajonin rus, Bryansk, i cili kufizohet me Ukrainën, tha në rrjete sociale guvernatori lokal, një ditë pasi një tren mallrash doli nga binarët nga një shpërthim në atë rajon.

“Në mëngjes, Forcat e Armatosura të Ukrainës e bombarduan fshatin Kurkovichi në distriktin komunal Starodubsky”- pretendoi guvernatori i Bryanskut, Alexander Bogomaz.

“Nuk pati pasoja në njerëz. Si rezultat i bombardimit, një zjarr shpërtheu në njërën prej amvisërive. Të gjitha shërbimet emergjente janë në vendin e ngjarjes”- shtoi ai.

As gazeta “The Guardian”, as agjencia “Reuters” nuk arritën që ta vërtetonin këtë raportim në mënyrë të pavarur. Ukraina pothuajse asnjëherë nuk e merr përgjegjësinë për sulmet brenda territorit të Rusisë ose në territoret e Ukrainës që janë nën kontrollin e rusëve.

Sidoqoftë, ushtria ukrainase raporton përditë për aktivitetet dhe lëvizjet e trupave në zonat e fushës së betejës.

Të hënën, një lokomotivë dhe shtatë vagonë mallrash dolën nga binarët në Bryansk, pasi një mjet i paidentifikuar shpërtheu, tha guvernatori Bogomaz.

Autoritetet ruse thonë se ky rajon, i cili kufizohet me Ukrainën dhe Bjellorusinë, është ballafaquar me disa sulme nga grupet pro-ukrainase të sabotuesve që nga fillimi i luftës.

Të shtunën, guvernatori tha se katër civilë vdiqën, kur një fshat u godit nga bombardimet nga ana ukrainase e kufirit.

Lajme të ngjashme