Gjenerali gjerman: Rusia mund të jetë gati për ta sulmuar NATO-n brenda 5 – 8 vjetësh - NACIONALE

Gjenerali gjerman: Rusia mund të jetë gati për ta sulmuar NATO-n brenda 5 – 8 vjetësh

1 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Komandanti i ushtrisë gjermane, Gjeneral Carsten Breuer, ka thënë se Rusia mund të jetë e gatshme ushtarakisht për të sulmuar shtete të NATO-s brenda pesë deri tetë vjetëve, nëse Moska vendos që ta bëjë këtë veprim, porsa t’i ketë rindërtuar forcat e goditura nga ndikimi i luftës në Ukrainë.

“Deri atëherë, duke u mbështetur në analizën tonë, Rusia do t’i ketë rikonstituuar forcat e veta në një shkallë që një sulm kundër tokës së NATO-s do të mund të ishte i mundshëm” – tha Breuer para gazetarëve gjatë një vizite në Poloni, raporton agjencia “Reuters”.

“Unë nuk po them që kjo do të ndodhë, por që mund të jetë e mundshme” – shtoi gjenerali gjerman të mërkurën vonë.

Nga 32 vendet e NATO-s, gjashtë shtete evropiane kufizohen me Rusinë: Norvegjia, Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania dhe Plonia.

Rusia tani duket se është në epërsi në Ukrainë, ku konflikti po karakterizohet nga lufta nëpër llogore, e ngjashme me Luftën e Parë Botërore, dhe luftimet me dronë të teknologjisë së lartë.

Forcat ruse tani kontrollojnë gati një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë Gadishullin e Krimesë, që ishte aneksuar më 2014.

“Ne shohim që Rusia është duke prodhuar shumë materiale për zhvillim lufte dhe nuk është duke e vënë tërë këtë material në vijën e frontit në Ukrainë, prandaj më 2029 duhet të jemi gati. Ajo që ne shohim është një kërcënim brenda pesë deri tetë vjetësh” – tha oficeri më i lartë ushtarak i Gjermanisë.

Lajme të ngjashme