Gjashtë fëmijë e dy të rritur bllokohen në një teleferik në 270 metra lartësi në Pakistan
Një përpjekje urgjente për shpëtim ka nisur në Pakistan për gjashtë fëmijë dhe dy të rritur që janë bllokuar në një kabinë teleferiku që ka mbetur rreth 270 metra mbi sipërfaqe në një rajon malor në pjesën veriperëndimore të vendit.
Fëmijët ishin duke udhëtuar për në shkollë në provincën Khyber Pakhtunkhwa, kur njëra nga kabllot e teleferikut u këput në orën 9 të mëngjesit të martën, sipas Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive, raporton televizioni CNN.
Një helikopter ka arritur në vendin ku është bllokuar kabina në lartësi prej 274 metrash mbi sipërfaqen e tokës, thanë autoritetet.
Kjo linjë lidh dy komunitete në rajon dhe qarkullimi bëhet nëpër dy kabllo, njëra prej të cilave është këputur, tha Bilal Ahmad Faizi, zyrtar për shpëtim.
Kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwar-ul-Haq Kakar, ka dhënë urdhër që të gjitha linjat e kabinave me kabllo që janë pjesërisht të shkatërruara dhe pa kushte të mbyllen menjëherë, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.
Shumë fëmijë që jetojnë në zona të largëta e malore të provincës Khyber Pakhtunkhwa varen nga kabinat me tela që të shkojnë në shkollë e të kthehen në shtëpi. Disave prej këtyre kabinave u mungon mirëmbajtja e rregullt dhe mund të jenë mjet i rrezikshëm udhëtimi.