Gazi rus nuk arrin në Gjermani, frikë në Berlin
A ka filluar sot dimri në Gjermani?
Mëngjesin e sotëm është ndërprerë qarkullimi i gazit përmes Nord Stream, një gazsjellës që lidh drejtpërdrejt Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit Baltik. Por, në Gjermani frikësohen se pas veprave reale mund të pasojnë vepra politike. Kjo do të thotë se Moska do të vendosë në heshtje një embargo gazi duke mos lëshuar më gaz, shkruan Deutsche Welle.
Për këtë mundësi kanë folur hapur ministri i Ekonomisë, Robert Habeck dhe Agjencia për Rrjete, e cila merret me energjinë në Gjermani. Rusia ka reduktuar më parë furnizimet me gaz në Gjermani, duke e shpjeguar atë me mungesën e një turbine Siemens që po riparohet në Kanada.
Po sikur të mos ketë gaz?
Gjermania është shumë e varur nga gazi rus. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, vitin e kaluar 55 për qind e gazit importohej nga Rusia, sot kjo përqindje është ulur në 35 për qind. Qeveria në Berlin ka përgatitur tashmë një plan në rast se nuk ka më gaz rus. Termocentralet me qymyr po kthehen në mënyrë që gazi të kursehet për ngrohje.
Ka të ngjarë që nëntë miliardë euro do të ndahen për të shpëtuar Uniper, një nga furnizuesit më të mëdhenj të gazit rus. Ajo kompani aktualisht merr vetëm 40 për qind të sasive të kontraktuara me Gazprom, dhe pjesën tjetër e blen në tregun botëror me çmime të larta.
Oliver Holtemöller nga Instituti për Kërkime Ekonomike Leibniz vlerëson se Gjermania do të jetë në gjendje të kalojë dimrin edhe pa gazin rus – me kusht që Norvegjia të japë sasi më të mëdha dhe qytetarët të kursejnë. "Në këtë mënyrë ne mund ta kalonim dimrin pa kufizime. Por atëherë do të kishim një problem edhe vitin e ardhshëm".
Ka zëra që dyshojnë se Kremlini do ta lërë Gjermaninë pa gaz. "Putini është një lojtar shahi", thotë Robert Halver, ekspert i investimeve kapitale të Bader Bank. "Nuk mund ta imagjinoj se ai do ta kthejë valvulën deri në fund". /Nacionale/