Gazetari amerikan thotë se Trumpi ka qëndruar fshehtas në kontakt me Putinin pas largimit nga pushteti - NACIONALE

Gazetari amerikan thotë se Trumpi ka qëndruar fshehtas në kontakt me Putinin pas largimit nga pushteti

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Në një libër të ri të reporterit veteran amerikan, Bob WoodWard, thuhet se ish-presidenti Donald Trump i kishte dërguar makina për testim për Covid-19 presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorim personal, kur në botë kishte mungesë të tyre. Pretendimi u hodh poshtë me zemërim nga zyrtarët e fushatës së Trumpit.

Libri, i titulluar “Luftë”, gjithashtu përfshin një pretendim që Trumpi në mënyrë të fshehtë ka qëndruar në kontakt me Putinin që nga largimi prej pushtetit, sipas fragmenteve të cituara nga mediat amerikane, raporton televizioni BBC.

Sidoqoftë, zyrtarë të fushatës së Trumpit thanë se asnjëri prej këtyre “rrëfimeve të sajuara” nuk është i vërtetë.

“Presidenti Trump absolutisht nuk i dha qasje atij [autorit] për këtë libër bërllok që ose përket në shportën e mbeturinave të seksionit trillim në një librari me zbritje, ose përdoret si letër tualeti” – tha zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung.

Libri i ri, që pritet të dalë nga shtypi javën e ardhshme, ia atribuon komunikimet e vazhdueshme mes ish-presidentit amerikan dhe Putinit një ndihmësi të vetëm të Trumpit, emri i të cilit nuk përmendet në libër.

Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, në libër përshkruhet një skenë në të cilën një ndihmës i Trumpit ishte urdhëruar që të dilte nga zyra e miliarderit në Mar-a-Lago në mënyrë që ish-presidenti të zhvillonte një telefonatë me Putinin.

Ndihmësi i paidentifikuar gjoja ka thënë se Trumpi e Putini mund të kenë biseduar gjashtë herë që nga largimi i republikanit nga Shtëpia e Bardhë më 2021.

Të mërkurën, Kremlini mohoi se Putini dhe Trumpi kishin biseduar.

Në libër nuk tregohet se çfarë ishte biseduar mes tyre dhe aty citohet një zyrtar i fushatës së Trumpit që hedh dyshime rreth kontakteve të supozuara.

Televizioni BBC nuk ka parë ndonjë kopje të librit. “The Times” raportoi se autori ka shkruar që nuk ka mundur ta vërtetojë pretendimin e ndihmësit dhe se burime të tjera të kontaktuara nuk ishin të vetëdijshme që Trumpi e Putini kanë kontaktuar me njëri-tjetrin pas largimit të amerikanit nga pushteti.

Woodward-i, i cili ishte bërë i famshëm për rolin e tij në zbulimin e skandalit “Watergate” që e kishte rrëzuar presidencën e Richard Nixon-it, ka shkruar disa libra që janë shitur më së shumti, duke u mbështetur në qasjen në burime të nivelit të lartë./Nacionale

Lajme të ngjashme