G20 nuk arrin konsensus për Ukrainën, Rusia dhe Kina refuzojnë të dënojnë pushtimin - NACIONALE

G20 nuk arrin konsensus për Ukrainën, Rusia dhe Kina refuzojnë të dënojnë pushtimin

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Për shkak të mosmarrëveshjeve rreth luftës në Ukrainë, ministrat e financave të ekonomive më të mëdha në botë nuk kanë arritur të bien dakord për një deklaratë përmbyllëse pas bisedimeve të zhvilluara në Indi.

Në këto bisedime të G20-ës, Rusia dhe Kina refuzuan të dënojnë pushtimin e Ukrainës, me Moskën e cila akuzoi vendet perëndimore për destabilizimin e takimit dhe se ishin "anti-ruse".

Rusia po ashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe vendet e G7-ës për "shantazh të qartë", duke u kërkuar atyre "të pranojnë realitetet objektive të një bote shumëpolare".

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, anëtarët e G20 nuk kanë arritur të përmbyllin takimet e zhvilluara me ndonjë deklaratë të përbashkët. Vetëm India, e cila priti bisedimet në qytetin jugor të Bengaluru, lëshoi një "përmbledhje" nga takimi dy-ditor, duke vënë në dukje se kishte "vlerësime të ndryshme të situatës dhe sanksioneve”.

Referuar dy paragrafëvë ku flitej për luftën, në deklaratë thuhej se, “ranë dakord të gjitha vendet anëtare, përveç Rusisë dhe Kinës".

Sipas BBC-së, Ajay Seth, një zyrtar i lartë indian, ka thënë në një konferencë për shtyp se përfaqësuesit rusë dhe kinezë nuk ranë dakord me formulimin për Ukrainën sepse "mandati i tyre është të merren me çështjet ekonomike dhe financiare".

Ndërkohë, ministri gjerman i financave, Christian Lindner, ka thënë se: "Kjo është një luftë. Dhe kjo luftë ka një shkak, ka një shkak, dhe ai është Rusia dhe Vladimir Putin. Kjo duhet të shprehet qartë në këtë takim financiar të G20."

Kujtojmë se këtë javë Pekini rriti përpjekjet në lidhje me konfliktin, me kryediplomatin Wang Yi, i cili bëri një turne në Evropë që kulmoi me një pritje të ngrohtë nga presidenti rus Vladimir Putin në Moskë. Gjithashtu brenda javës, Kina propozi një "plan paqeje" prej 12 pikash për konfliktin, i cili përfshinte "respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve" dhe "ndalimin e sanksioneve të njëanshme".

Lajme të ngjashme