FT: Shkencëtarët iranianë vizituan vjet qendra shkencore në Rusi që lidhen me armë bërthamore - NACIONALE

FT: Shkencëtarët iranianë vizituan vjet qendra shkencore në Rusi që lidhen me armë bërthamore

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Disa shkencëtarë bërthamorë iranianë e vizituan Rusinë vitin e kaluar në një udhëtim sekret për t’i shikuar qendrat ruse ku punohet në teknologji që janë relevante për prodhimin e armëve bërthamore, raporton gazeta “Financial Times”.

Sipas këtij raporti, i cili është i mbështetur në letra të ndryshme zyrtare, dokumente të udhëtimit dhe të dhëna të korporatave, shkencëtari bërthamor iranian, Ali Kalvand, dhe katër punonjës të tij udhëtuan në Moskë më 4 gusht 2024, duke pretenduar se ishin punonjës të një firme konsultuese me bazë në Teheran. Megjithatë, thuhet në raport, të gjithë hynë në Rusi me pasaporta diplomatike, të lëshuara vetëm disa javë para udhëtimit, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Gjatë qëndrimit në Moskë, gazeta thotë se shkencëtarët bërthamorë iranianë vizituan një institucion shkencor rus që prodhon teknologji me përdorim të dyfishtë, e cila ka edhe zbatime civile, edhe është e lidhur me hulumtimin në fushën e armëve bërthamore.

Gazeta thekson se nuk ka arritur që t’i identifikojë teknologjitë specifike që Irani ishte duke i kërkuar nga qendrat ruse, por thotë se njëri nga shkencëtarët iranianë, Soroush Mohtashami, është ekspert i gjeneratorëve të neutroneve – përbërës që mund të nxisë shpërthim në disa armë bërthamore.

Bashkë me Kalvandin dhe Mohtashamin, anëtarë të tjerë të delegacionit iranian të identifikuar nga gazeta “Financial Times” janë Javad Ghasemi, ish-shef ekzekutiv i një kompanie të lidhur me armë bërthamore në Iran, e sanksionuar nga ShBA-ja; dhe Rouhollah Azimirad, shkencëtar i lartë në Organizatën e Inovacionit dhe Hulumtimeve të Mbrojtjes në Iran.

Në një letër që Kalvandi ia dërgoi shkencëtarit rus, Oleg Maslennikov, para vizitës, ai tha se qëllimi i udhëtimit do të ishte “të diskutohej dhe të arrihej pajtim për aspektet teknike dhe prodhuese të zhvillimit të pajisjeve elektronike” dhe “të shqyrtohen rrugë të përgjithshme të mundshme për zgjerimin e bashkëpunimit shkencor”.

Sipas dokumenteve të analizuara nga gazeta “Financial Times”, vizita e shkencëtarëve iranianë gjithashtu kishte një qëllim tjetër – blerjen e materialeve radioaktive.

Në maj të vitit 2024, thuhet në raportin e gazetës, Kalvandi i dërgoi një letër një furnizuesi rus të izotopeve bërthamore, duke kërkuar tri izotope radioaktive, për qëllime hulumtuese, në sasi të pasaktësuar: Tritium, Stronium-90 dhe Nikel-63.

Të tria këto izotope luajnë role të ndryshme në prodhimin dhe testimin e armëve bërthamore. Megjithatë, gazeta tha se nuk ka gjetur dëshmi se shkencëtari iranian Kalvand i ka pranuar ndonjëherë izotopet që po i kërkonte.

Në qershorin e këtij viti, Izraeli sulmoi qendra bërthamore të Iranit, duke nxitur një luftë 12-ditore me Teheranin, pasi Izraeli përcaktoi se shteti armik kishte ndërmarrë hapa të pashembullt drejt prodhimit të një arme bërthamore./Nacionale

Lajme të ngjashme