Franca thotë se nuk dëshiron koncesione me Rusinë: E duam fitoren e Ukrainës - NACIONALE

Franca thotë se nuk dëshiron koncesione me Rusinë: E duam fitoren e Ukrainës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca nuk ka vullnet që të bëjë koncesione me Rusinë dhe dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën kundër forcave pushtuese të Moskës e ta rivendosë integritetin territorial, tha të premten një zyrtar i presidencës franceze, kur Parisi po mundohet që t’i zbusë shqetësimet për qëndrimin e tij mbi luftën në Ukrainë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është kritikuar nga Ukraina dhe aleatët e Evropës Lindore pas një interviste të publikuar javën e kaluar, ku citohet të ketë thënë se është jetike që Rusia të mos poshtërohet në mënyrë që, kur luftimet të përfundojnë, të ketë zgjidhje diplomatike.

“Siç ka thënë presidenti, duam fitore të Ukrainës. Duam që të rivendoset integriteti territorial”, tha një zyrtar i presidencës franceze, kur u pyet për komentet e presidentit rreth poshtërimit të Rusisë.

Macroni ka biseduar me homologun rus rregullisht që nga fillimi i luftës më 24 shkurt si pjesë e përpjekjeve për të arritur armëpushim dhe për të filluar bisedime të besueshme mes Kievit dhe Moskës, ndonëse nuk ka shfaqur sukses të prekshëm në këtë synim.

“Nuk ka frymë të koncesionit ndaj Putinit ose Rusisë në atë që thotë presidenti. Kur ai flet me të drejtpërdrejt, ky nuk është kompromis, por për të treguar se si ne i shohim gjërat”, shtoi zyrtari francez.

Ai e mbrojti pozicionin e Macronit duke përsëritur se duhet të ketë zgjidhje të negociuar për luftën dhe duke argumentuar se komentet e presidentit nuk janë konsideruar gjithmonë plotësisht. Sipas tij, Parisi është mbështetës kyç i sanksioneve dhe ka ofruar përkrahje të fuqishme ushtarake për Ukrainën.

Disa partnerë evropianë e shohin dialogun e hapur të Macronit me Putinin si minim të përpjekjeve për ta detyruar presidentin rus që të ulet në tavolinën e bisedimeve me Ukrainën.

Presidenti francez do t’i vizitojë Rumaninë dhe Moldavinë më 14 dhe 15 qershor për ta shfaqur përkrahjen e Francës për dy shtetet më të ekspozuara ndaj zhvillimeve në Ukrainë.

Macroni nuk e ka vizituar Kievin për të ofruar përkrahje simbolike politike, siç kanë bërë disa udhëheqës të tjerë evropianë. Sidoqoftë, zyrtari i presidencës franceze nuk përjashtoi një vizitë të Macronit në Ukrainë./Nacionale

Lajme të ngjashme