Franca e thërret në takim ambasadorin rus në Paris pas vdekjes së Navalnyt
Franca e ka ftuar në takim ambasadorin rus në Paris pas vdekjes së udhëheqësit të burgosur opozitar rus, Alexei Navalny, tha të martën Ministria e Jashtme e Francës, duke i konfirmuar raportimet e mëhershme të mediave.
Kjo ministri tha se ambasadori rus u thirr në takim të hënën. Edhe Gjermania e ftoi të hënën në takim ambasadorin rus në Berlin për shkak të vdekjes së Navalnyt, raporton agjencia “Reuters”.
Navalny, 47 vjeç, vdiq papritmas të premten gjatë një ecjeje në burgun “Ujku Polar” në Kharp, rreth 1.900 kilometra në verilindje të Moskës, ku ishte duke vuajtur një dënim me tri dekada burgim, ka thënë shërbimi rus i burgjeve.
Shtetet perëndimore dhe përkrahësit e Navalnyt thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, është përgjegjës për vdekjen e opozitarit. Megjithatë, Kremlini e ka mohuar përfshirjen dhe thotë se pretendimet e Perëndimit se Putini është përgjegjës janë të papranueshme.