“Forcat ruse jetuan si derra”, ukrainasit e Izium flasin për CNN pas çlirimit
Tanket dhe kamionët e djegur të shenjuar me simbolin e Rusisë "Z" shtrihen në anë të rrugës, të gërvishtura dhe me ndryshk. Një urë e shembur është e mbuluar me tabela që paralajmërojnë për mina tokësore. Më tej, rrënojat e një makine janë lënë pranë një karburanti të shkatërruar të rrethuar nga mbeturinat e granatimeve.
Këto janë shenjat e fitores së Ukrainës dhe, tani për tani, të një shkatërrimi rus.
Ndërsa CNN u bë ekuipazhi i parë televiziv ndërkombëtar që ka hyrë në Izium që kur ukrainasit e rimorën atë të shtunën, ekipi u ndesh me një qytet që sapo zgjohej me realitetin e tij të ri: se gjashtë muaj pushtim ka mbaruar.

Izium tani është "çliruar", së bashku me pothuajse të gjithë rajonin e Kharkiv, tha një burim ushtarak ukrainas për CNN. Qyteti është një humbje e madhe strategjike për ushtrinë ruse, e cila e përdori atë si një bazë kyçe dhe rrugë furnizimi për forcat e saj në Ukrainën lindore dhe tregon shpejtësinë dhe shkallën e kundërofensive të shpejtë të Ukrainës në verilindje.
E kombinuar me një ofensivë paralele në jug, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina ka marrë gjithsej 6,000 kilometra katrorë, ndërsa Rusia tha se tërheqja e trupave të saj nga rajoni ishte "taktike", me qëllim që të përqendronte burimet në zonën e Donbasit.
Për të bërë qendrën e qytetit plotësisht të sigurtë, në Izium, puna ende po vazhdon. Ukrainasit po kërkojnë të kapin disa ushtarë rusë që kanë mbetur të fshehur dhe këdo që ka punuar me ta gjatë okupimit. Qyteti mbetet gjithashtu në një ndërprerje të plotë informacioni, pa sinjal telefoni apo të dhënash – një taktikë e përdorur nga rusët në të gjithë territoret e pushtuara.
Por, nga ajo që dëshmoi ekipi i CNN, banorët vendas ndjehen të lehtësuar kur e shohin qytetin e tyre përsëri në duart e Ukrainës.
Megjithëse rrugët e Izium ishin kryesisht të qeta, banorët herë pas here dilnin nga shtëpitë e tyre duke përshëndetur me dorë automjetet e CNN ose kamionët ushtarakë që kalonin dhe shtrëngonin duart me çdo ushtar ukrainas që shihnin.
Por në të njëjtën kohë, frika nga rusët, ka pushtuar qytetin. Shumica e banorëve që CNN iu afrua ishin shumë të frikësuar për të folur lirshëm për atë që kishte ndodhur atje muajt e fundit.

Të vetmit që pranuan të flasin duke dhënë emrat e tyre ishte një çift rreth të pesëdhjetave.
“Ne iu lutëm Zotit që të çlirohemi pa luftë dhe pa gjak... dhe kështu ndodhi”, u shpreh Valeriy.
Megjithatë, tingulli i largët i granatimeve është një kujtesë e vazhdueshme se pavarësisht nga fitimet mbresëlënëse në këtë kundërofensivë, lufta nuk është fituar ende – dhe shumë pjesë të Ukrainës janë ende brenda rrezes së arsenalit të armëve të rënda të Rusisë.
Por ngadalë, ukrainasit po punojnë për të rikthyer Izium dhe territoret e tjera të rikapura.
"Kë kemi ardhur të çlirojmë këtu?"
Banori i Izium, Valeriy tha se vendasit në qytet ishin të zemëruar me rusët për sjelljen e tyre.
"Aty ku nuk kishte njerëz, rusët vodhën gjithçka," tha Valeriy. “Ata jetuan si derra. Ne hymë në një shtëpi - dhe derrat jetojnë më mirë.”
Valeriy tha se luftimet në Izium filluan më 4 mars, kur tetë raketa Grad ranë pranë shtëpisë së tyre, gjë që ishte "e frikshme", por për fat nuk i goditi drejtpërdrejt. Ndërsa tregoi se shtëpia e fqinjës së tyre u shkatërrua nga njëra prej raketave, por ajo mbijetoi pa asnjë gërvishtje.
Ai tha se trupat ruse që mbërritën në qytet në fillim të luftës e kuptuan shpejt se justifikimi i presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin - për të "de-nazifikuar" Ukrainën - ishte një gënjeshtër.
"Një rus erdhi dhe tha: "Baba, ne të shpëtuam nga nazistët", tha Valeriy. "Dhe unë u thashë atyre: "Më tregoni një".
Valeriy tha se ai foli me ushtarët e rinj në rusisht dhe u përpoq t'i bënte ata të shihnin se ata po shkatërronin marrëdhëniet e dikurshme të ngushta që kishin ukrainasit dhe rusët, veçanërisht në këtë pjesë të vendit që është aq afër kufirit.

"Unë u thashë atyre se ata shkatërruan shtëpinë e një njeriu dhe ai ishte nga rajoni i Kurskut (të Rusisë)," tha Valeriy. "Të gjithë këtu kanë të afërm në Belgorod (në Rusi) dhe qytete të tjera."
Ai tha se në një moment, forcat ruse erdhën tek ai dhe e pyetën: "Kë kemi ardhur të çlirojmë këtu?"
E duket se ky konfuzion dhe ndjenja e zhgënjimit nga trupat tokësore ruse ka të ngjarë të jetë një faktor kryesor në tërheqjen e tyre nga ky rajon javën e kaluar.
Por më e rrezikshme për Putinin është se sistemi komandues dhe kontrollues i ushtrisë së tij u shemb në provincën Kharkiv. Oficerët e rangut të lartë u larguan nga bunkeri i tyre, ndërsa njerëzit e tyre lanë armët e rënda ndërsa iknin.
Forcat e Ukrainës do të përpiqen t'i mbajnë ata në arrati dhe ndoshta shpresojnë që një ditë të kthehen në Moskë me historinë e asaj që ndodhi në Kharkiv dhe të kërkojnë llogari nga udhëheqësit e tyre.


