Fitoret e liderëve pro-Putinit hapin rrugë për autokraci në Evropë - NACIONALE

Fitoret e liderëve pro-Putinit hapin rrugë për autokraci në Evropë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pasi dy burra të fortë evropianë morën fitore dërrmuese në zgjedhjet e së dielës, një nga liderët e parë të huaj që i uroi të dy nuk ishte nga një vend fqinj apo nga një aleat rajonal - ishte vetë Presidenti rus Vladimir Putin.

Zgjedhjet parlamentare në Hungari dhe Serbi sollën fitore dërrmuese për liderët pro-Putin edhe për një kohë të gjatë - kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Nëse flasim për autokracitë e Rusisë dhe Kinës - këto dy fuqi kërkojnë të ushtrojnë ndikim më të madh në kontinent dhe më gjerë, ndërsa Orban dhe Vuçiç kanë për synim të imitojnë prekjen autokratike, përmes stilit të tyre të qeverisjes mu në zemër të Evropës.

Partia e djathtë Fidesz e Orbanit fitoi më shumë se 53% të votave, duke tronditur anketuesit dhe një koalicion me qëndrime perëndimore të partive opozitare më liberale, të cilat u kishin bërë thirrje votuesve t'i jepnin fund sundimit 12-vjeçar autokratik të Orbanit dhe lidhjeve të forta me Moskën dhe Pekinin.

Në anën tjetër, në Serbi, Vuçiqi arriti një fitore të plotë, duke shënuar një herë të parë që një kandidat presidencial fiton një mandat të dytë pa shkuar në balotazh.

“Kam arritur diçka që askush tjetër nuk e ka bërë para meje”, tha Vuçiç në fjalim e tij të fitores.

Rezultatet - të cilat treguan fuqinë e dy liderëve që janë akuzuar për minimin e normave demokratike, nënvizuan edhe një largim të përshpejtuar nga vlerat liberale dhe vizioni i Bashkimit Evropian.

Lufta e Rusisë në Ukrainë luajti një rol të jashtëzakonshëm në fushatat e të dy vendeve, dhe analistët thanë se vetë konflikti ndihmoi liderët fitues në mobilizimin e mbështetjes për ta.

Elektorati kryesisht pro-rus i Serbisë shmang grupet e identifikuara me politika pro-perëndimore, ndërsa reputacioni i Orbanit si aleati më i afërt i Putinit në BE ka bërë që mbështetësit e tij ta shohin Rusinë si një partner vendimtar.

Zyrtarisht në rrugën e pranimit në BE, Serbia nën Vuçiqin ka parë një rritje të ndjenjës pro-ruse dhe rritje të skepticizmit dhe mosbesimit ndaj BE-së, edhe pse hyrjet kryesore financiare të vendit vijnë nga blloku.

Qeveria e Vuçiqit ka mbështetur rezolutën e OKB-së që dënon sulmin ndaj Ukrainës, por në të njejtën kohë ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve kundër Moskës.

“Vuçiç ka krijuar këtë atmosferë adhurimi të madh për Rusinë dhe hipokrizi ndaj BE-së”, tha Biljana Stojkovic, kandidatja presidenciale e një koalicioni të majtë të gjelbër. "Unë nuk mendoj se ai e ka kuptuar rëndësinë e (luftës në Ukrainë) dhe ndryshimet gjeopolitike."

E ndërsa Orban ka votuar me paqartësi për shumicën e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, ai ka refuzuar të furnizojë Ukrainën me armë ose të lejojë transferimin e tyre përtej kufirit hungarez-ukrainas. Ai gjithashtu ka luftuar intensivisht kundër sanksioneve të vendosura ndaj importeve ruse të energjisë nga të cilat Hungaria është thellësisht e varur, duke tërhequr kështu edhe përbuzjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në fjalim e tij të fitores, Orban veçoi Zelenskyn si pjesë të "forcës dërrmuese" që ai tha se partia e tij e kishte luftuar në zgjedhje - "e majta në shtëpi, e majta ndërkombëtare përreth, burokratët e Brukselit, perandoria Soros me të gjitha paratë e saj, mediat kryesore ndërkombëtare, madje edhe presidenti ukrainas.”

Në ditët e fundit të fushatës, Orban vizitoi Serbinë për të mbështetur aleatin e tij Vuçiq dhe të dy politikanët morën një udhëtim me një tren të shpejtë që lidh kryeqytetet e dy vendeve të tyre, Beogradin dhe Budapestin. Associated Press, shkruan se kjo hekurudhë është një projekt i përbashkët dhe pjesë e iniciativës së tregtisë globale të Kinës "Belt and Road" , e cila po ndërtohet nga kompani shtetërore kineze dhe ruse duke përdorur kredi të mëdha bankare po nga Kina dhe Rusia.

Në një fjalim të përbashkët, të dy liderët i përshkruan marrëdhëniet midis kombeve të tyre si më të mirat në histori dhe u zotuan të punojnë më tej për t'i përmirësuar ato.

Orban dhe zyrtarët e tij kanë kërkuar vazhdimisht pranimin e menjëhershëm të Serbisë në BE, me Orbanin i cili ka deklaruar se "BE-ja ka nevojë për Serbinë më shumë sesa Serbia ka nevojë për BE-në".

Lajme të ngjashme