“Financial Times”: ShBA-ja i ka kërkuar Ukrainës që t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse - NACIONALE

“Financial Times”: ShBA-ja i ka kërkuar Ukrainës që t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse

2 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Ukraina që t’i ndalë sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, duke paralajmëruar se sulmet me dronë rrezikojnë që t’i rrisin çmimet globale të naftës dhe të nxisin hakmarrje, sipas tre personave të afërt me këto diskutime.

Paralajmërimet e përsëritura nga Uashingtoni iu dërguan zyrtarëve të shërbimit shtetëror ukrainas të sigurisë, SBU, si dhe drejtorisë së inteligjencës ushtarake, GUR, i thanë këta persona gazetës britanike “The Financial Times”.

Të dyja njësitë e inteligjencës në mënyrë graduale i kanë zgjeruar programet e tyre të dronëve për t’i sulmuar caqet ruse në tokë, det e ajër që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Një person tha se Shtëpia e Bardhë është zemëruar gjithnjë më shumë nga sulmet e qarta ukrainase me dronë që kanë goditur rafineri, terminale e depo të naftës në pjesët perëndimore të Rusisë, duke e dëmtuar kapacitetin prodhues të saj.

Rusia mbetet njëra nga eksportueset më të rëndësishme të energjisë në botë pavarësisht nga sanksionet ndaj naftës dhe gazit të saj. Çmimet e naftës janë rritur për rreth 15 për qind këtë vit, duke e shtuar koston e karburanteve mu në kohën kur presidenti Joe Biden e fillin fushatën presidenciale në ShBA.

Uashingtoni është gjithashtu i shqetësuar se nëse Ukraina vazhdon që t’i godasë objektet ruse, përfshirë shumë prej tyre që ndodhet qindra kilometra larg kufirit, Rusia mund të hakmerret ndaj infrastrukturës së energjisë në të cilën mbështetet Perëndimi.

Këtu përfshihet naftësjellësi CPC nga Kazakistani, nëpër Rusi, që i shërben tregut glonal. Disa kompani perëndimore, përfshirë “ExxonMobil” dhe “Chevron”, e shfrytëzojnë këtë naftësjellës, të cilin Moska e kishte mbyllur për një kohë të shkurtër më 2022.

“Ne nuk inkurajojmë ose mundësojmë sulme brenda Rusisë” – tha një zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare në ShBA. CIA refuzoi që të komentonte. Në Kiev, një zëdhënës i SBU-së refuzoi që të komentonte. Zyrtarë në GUR dhe në zyrën e Zelenskyt nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Ukraina i ka shtuar sulmet e saj ajrore në javët e fundit, përderisa programet e saj me dronë zgjerohen e lufta po kalon në favor të Moskës, thekson gazeta britanike.

Nga viti 2022 kanë ndodhur të paktën 12 sulme ndaj rafinerive të rëndësishme ruse dhe të paktën nëntë këtë vit, bashkë me disa sulme në terminale e depo, sipas zyrtarëve të inteligjencës ushtarake në Kiev.

Ankesat e ShBA-së vijnë në kohën kur Bideni ballafaqohet me një betejë të vështirë për Shtëpinë e Bardhë këtë vit, ndërsa çmimet e naftës po rriten, gati 15 për qind këtë vit.

“Asgjë nuk tmerron më shumë një president amerikan se rritja e çmimeve të derivateve gjatë një viti zgjedhor” – tha Bob McNally, drejtor i firmës konsultuese “Rapidan Energy” dhe ish-këshilltar për energji në Shtëpinë e Bardhë.

Ukraina në mënyrë të vazhdueshme i ka shtuar sulmet me dronë, përderisa teknologjia e saj ka avancuar. Zyrtarët ukrainas pretendojnë se kanë zhvilluar dronë me rreze veprimi prej më shumë se një mijë kilometrash dhe ngarkesa me lëndë shpërthyese që mund të shkaktojnë dëme të mëdha./Nacionale

Lajme të ngjashme