Fatkeqësia në Fukushima: Japonia do të hedhë ujin radioaktiv në det - NACIONALE

Fatkeqësia në Fukushima: Japonia do të hedhë ujin radioaktiv në det

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Japonia ka njoftuar se, këtë vit do të hedhë më shumë se një milion ton ujë në det nga centrali i shkatërruar në Fukushima.

Operatori ka thënë se pas trajtimit që i është bërë ujit, nivelet e shumicës së grimcave radioaktive plotësojnë standardin kombëtar, me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), që e ka parë si propozim të sigurt.

"Ne presim që koha e hedhjes të jetë diku gjatë kësaj pranvere ose verë," - është shprehur kryesekretari i kabinetit Hirokazu Matsuno, duke shtuar se qeveria do të presë për një "raport gjithëpërfshirës" nga IAEA përpara se të veprojë.

Megjithatë, lidhur me këtë hap kanë shprehur shqetësim dhe kundërshtim vendet fqinje dhe peshkatarët vendas.

Forumi i Ishujve të Paqësorit ka kritikuar Japoninë për mungesën e transparencës, duke thënë se:"Popujt e Paqësorit janë popuj bregdetar dhe oqeani vazhdon të jetë një pjesë integrale e jetesës së tyre."

Sekretari i Përgjithshëm i Forumit Henry Puna, më tej ka shtuar se, Japonia po thyen angazhimin që liderët e tyre kanë arritur në samitin e nivelit të lartë në 2021.

“U ra dakord që ne do të kishim akses në të gjitha provat e pavarura shkencore dhe të verifikueshme shkencore përpara se të ndodhte ky shkarkim. Fatkeqësisht, Japonia nuk ka bashkëpunuar," – është shprehur ai.

Kjo uzinë, çdo ditë prodhon 100 metra kub ujë të ndotur, i cili është një përzierje e ujërave nëntokësore, të detit dhe ujit që përdoret për të mbajtur reaktorët të freskët. Më pas filtrohet për shumicën e izotopeve radioaktive, por sipas operatorit Tepco, niveli i tritiumit është mbi standardin kombëtar.

Megjithatë, ekspertët kanë thënë se tritiumi është shumë i vështirë për t'u hequr nga uji dhe është i dëmshëm për njerëzit vetëm në doza të mëdha.

Çfarë ndodhi në Fukushima 10 vjet më parë?

Kujtojmë se, fatkeqësia e Fukushimës në vitin 2011 ishte aksidenti më i rëndë bërthamor që nga Çernobili.

Japonia verilindore u trondit nga një tërmet me magnitudë 9.0 ballë më 11 mars 2011, i cili më pas shkaktoi një cunami gjigant, ndërsa valët goditën centralin bërthamor të Fukushima Daiichi, duke përmbytur tre reaktorë dhe duke shkaktuar një fatkeqësi të madhe.

Autoritetet krijuan një zonë përjashtimi e cila u bë gjithnjë e më e madhe ndërsa pati rrjedhje rrezatimi nga centrali, duke detyruar më shumë se 150,000 njerëz të evakuohen nga zona.

Lajme të ngjashme