Fati i qindra mijëra pakistanezëve varet nga diga 90-vjeçare - NACIONALE

Fati i qindra mijëra pakistanezëve varet nga diga 90-vjeçare

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Fati i qindra mijëra banorëve të Pakistanit jugor, të goditur rëndë nga shirat e stuhishëm që po shkatërrojnë vendin, varet nga një digë 90-vjeçare që kontrollon lumin e fuqishëm Indus, me një nga sistemet më të mëdha të ujitjes në botë.

Qeveria pakistaneze, e përballur me shirat e dendur të musonit që kanë marrë më shumë se një mijë jetë dhe kanë prekur dhe zhvendosur më shumë se 33 milionë banorë, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Në provincën e Sindhit në jug të vendit, pas reshjeve të dendura që kanë rënë prej javësh dhe kanë shkaktuar përmbytje të paprecedentë, ekspertët po monitorojnë ‘sjelljen’ e lumit Indus. Përrenjtë e lumenjve më të vegjël që rrjedhin poshtë zonës malore derdhen në lumë.

Sipas të dhënave të OKB-së, lumi Indus, i cili buron nga Tibeti dhe rrjedh nëpër Indi dhe Pakistan përpara se të derdhet në Detin Arabik, siguron 90 për qind të furnizimit me ujë të Pakistanit, prandaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm për jetën e shumë banorëve.

Diga është 90 vjeçare

"I gjithë ky ujë, përrenjtë që derdhen në lumë, na trembin", i tha AFP 42-vjeçari Irshad Ali, një fermer që ankohet se musonët kanë larë dhe shkatërruar palmat dhe kopshtet me perime.

Indusi tashmë ka tejmbushur brigjet e tij në disa vende dhe nëse diga e Sukkurit nuk arrin të kontrollojë rrjedhën e ujit, katastrofa mund të pasojë.

Diga u ndërtua 90 vjet më parë gjatë Perandorisë Britanike. Ajo u konsiderua një mrekulli inxhinierike, sepse arriti të lëshonte 1.4 milion metra kub ujë në sekondë përmes 19 portave të çelikut.

Diga rishpërndan ujin në thuajse 10 mijë kilometra kanale që sjellin ujë në tokat bujqësore, por pas vitesh neglizhencë, kanalet e lënë pas dore nuk arrijnë më të pranojnë sasi rekord uji.

Të dielën, inxhinierët punuan për të përforcuar një argjinaturë të madhe që kërcënohej me derdhje. Uji nga Indusi ka depërtuar tashmë në rrugët e qytetit të Sukkur. /Nacionale/

Lajme të ngjashme