Evropa synon pavarësinë energjetike nëpërmjet biogazit
Lufta në Ukrainë i ka dhënë gazit të rinovueshëm një shtysë të re, me Komisionin Evropian që propozon rritjen e prodhimit të biometanit në 35 miliardë metra kub (bcm) deri në vitin 2030, nga 3 bcm sa ishte në 2020. Në Evropë, Franca po prinë në këtë drejtim, shkruan Euractiv.
Nevoja për të reduktuar varësinë e BE-së nga gazi rus ka vendosur në qendër të vëmendjes paketën e legjislacionit të gazit të paraqitur nga Komisioni Evropian më 15 dhjetor, vetëm dy muaj përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën.
Para luftës, “paketa e gazit nuk do të kishte qenë një prioritet për presidencën franceze të Këshillit të BE-së”, thotë Phuc-Vinh Nguyen, studiues në Qendrën e Energjisë të Institutit, Jacques Delors.
Vendet e BE-së tani po shikojnë gazin e rinovueshëm dhe rregulloren dhe direktivën e Komisionit për gazin me interes të ri, tha ai në një intervistë për Euractiv.
Paketa legjislative propozon lehtësimin e miratimit të gazeve të rinovueshme “duke hequr tarifat për ndërlidhjet ndërkufitare dhe duke ulur tarifat në pikat e injektimit”. Qëllimi është garantimi i aksesit në këto gazra në tregun me shumicë dhe krijimi i një sistemi certifikimi për gazrat me karbon të ulët.
“Ne po krijojmë kushtet për një tranzicion të gjelbër në sektorin tonë të gazit duke rritur përdorimin e gazit të pastër”, kishte thënë Komisioneri i Energjisë Kadri Simson në dhjetor.
Këto janë përparime të mëdha, por disa në industri i konsiderojnë të pamjaftueshme. Problemi kryesor është mungesa e qartësisë dhe metodologjisë për përcaktimin - dhe diferencimin - midis llojeve të ndryshme të gazeve të gjelbra dhe gazrave me karbon të ulët, për të cilat kritikët thonë se rrezikojnë të pengojnë investimet.
Aktualisht, çdo gaz i prodhuar nga burimet e rinovueshme të energjisë konsiderohet i rinovueshëm, duke përfshirë biogazin e prodhuar nga fermentimi i lëndës organike dhe biometani, versioni i tij i përmirësuar i cili mund të injektohet drejtpërdrejt në rrjet.
Por ka lloje të tjera të gazrave me karbon të ulët si hidrogjeni, i cili mund të merret në mënyra të ndryshme, duke përfshirë burimet e rinovueshme ose lëndët djegëse fosile.
Sigurimi që përkufizimet ligjore lejojnë dallimin ndërmjet tyre do të jetë si rrjedhim thelbësor nga një këndvështrim mjedisor.
Më shumë autonomi
Me gazin në qendër të vëmendjes që nga fillimi i luftës në Ukrainë, vendet anëtare të BE-së dhe eurodeputetët ka të ngjarë të rishikojnë çështjen gjatë negociatave të ardhshme mbi tekstin legjislativ.
Paketa e gazit "ka marrë qartazi shumë më tepër vëmendje sesa do të prisnim", thotë Nguyen. "Kjo mund të çojë në objektiva shumë më ambicioz," shtoi ai.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ekspozoi varësinë e madhe të bllokut nga importet e energjisë nga vendet e treta, veçanërisht nga Rusia. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), BE importon 90% të gazit të saj natyror, pothuajse gjysma e të cilit (45%) vjen nga Rusia.
Avantazhi i gazit të rinovueshëm është se ai mund të prodhohet brenda Evropës, prandaj Komisioni Evropian e ka bërë atë një prioritet në planin e tij REPowerEU që synon të largohet nga gazi rus "përpara vitit 2030".
Plani "do të synojë të diversifikojë furnizimet me gaz, të përshpejtojë vendosjen e gazeve të rinovueshme dhe të zëvendësojë gazin në ngrohje dhe prodhim të energjisë," tha Komisioni.
Biometani dhe hidrogjeni janë në listën e prioriteteve në Bruksel. Komisioni planifikon të rrisë prodhimin e biometanit në 35 miliardë metra kub (bcm) deri në vitin 2030, nga 3 bcm sa ishte në 2020. Prodhimi duhet të rritet tashmë me 0,5 bcm para fundit të vitit. Deri në fund të dekadës, prodhimi duhet të zëvendësojë 20% të gazit të importuar nga Rusia.
Me këto objektiva të reja, rreth 10% e nevojave të bllokut për energji duhet të mbulohen në vitin 2030, sipas Shoqatës Evropiane të Biogazit (EBA). Dhe nëse trendi vazhdon, 30-40% e kërkesës për gaz të BE-së mund të mbulohet deri në vitin 2050.
“Promovimi i zhvillimit të shpejtë të biometanit do të kontribuojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, do të zvogëlojë varësinë nga furnizimet e jashtme me gaz dhe do të përballet me një rritje të paprecedentë të çmimeve të gazit natyror”, ka thënë në një deklaratë drejtori i EAB Harmen Dekker.
Me këtë në mendje, shoqata po bën thirrje që strategjia e biometanit të përfshihet në Direktivën e rishikuar të BE-së për Energjinë e Rinovueshme, e cila aktualisht po diskutohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së.