Eurostat: Inflacioni në eurozonë më i larti që nga viti 1997 - NACIONALE

Eurostat: Inflacioni në eurozonë më i larti që nga viti 1997

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në mes të rritjes së kostove të energjisë dhe ushqimit të nxitura pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë, në muajin maj inflacioni i eurozonës ka arritur një rekord prej 8.1%.

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, inflacioni vjetor në 19 vendet që përdorin monedhën euro është rritur dhe ka kaluar rekordin e mëparshëm prej 7.4% i arritur në mars dhe prill.

Sipas këtyre statistikave, që nga fillimi i mbajtjes së regjistrave për euron në vitin 1997, inflacioni tani ka arritur në nivelin më të lartë.

Çmimet e energjisë janë rritur me 39.2%, duke nënvizuar kështu ndikimin e luftës dhe krizës globale të energjisë në shtrenjtimin e jetës për 343 milionë banorëve të eurozonës.

“Inflacioni i energjisë ka të ngjarë të mbetet më i lartë se sa pritej më parë, pasi Bashkimi Evropian ra dakord të vendosë embargo për shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit”, tha Andrew Kenningham, kryeekonomist evropian në Capital Economics.

Pas marrëveshjes së re, nafta e papërpunuar Brent, u rrit në 120 dollarë për fuçi.

Me qëllim ndëshkimin e Moskës për luftën e saj me Ukrainën, marrëveshja është një thikë me dy tehe që gjithashtu mund të rrisë vështirësitë për njerëzit dhe bizneset që tashmë po luftojnë për të përballuar kostot e larta të energjisë.

Vendet fqinje me Rusinë që kanë hequr dorë nga gazi rus ishin ndër vendet më të goditura, ku norma e inflacionit në Estoni arriti në 20% ndërsa në Lituani ishte 18.5% dhe në Letoni arriti në 16.4%.

Sipas Eurostat, çmimet e ushqimit, alkoolit dhe duhanit u rritën me 7.5% në maj - një tjetër shenjë se si lufta e Rusisë në Ukrainë, një furnizues kryesor global i grurit dhe mallrave të tjera bujqësore, po i rrit çmimet në mbarë botën. Ndërsa, çmimet për mallra si veshje, elektroshtëpiake, makina, kompjuterë dhe libra u rritën me 4.2%, kurse çmimet e shërbimeve u rritën me 3.5%.

Shifrat e fundit shtojnë presionin mbi zyrtarët e eurozonës për të rritur normat e interesit nga nivelet tepër të ulëta për të frenuar rritjen e çmimeve, megjithëse kjo rrezikon të mbysë rimëkëmbjen ekonomike.

Associated Press shkruan se, Bashkimi Evropian në fillim të këtij muaji uli parashikimin e tij të rritjes ekonomike për bllokun 27-vendesh mes perspektivës së një lufte të zgjatur Rusi-Ukrainë dhe ndërprerjeve në furnizimet me energji.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, javën e kaluar dha shenjën më të qartë se së shpejti do të fillojnë të rriten normat, duke shkruar në një blog se ajo pret të "dalë nga normat negative të interesit deri në fund të tremujorit të tretë".

Vendet e eurozonës janë Austria, Belgjika, Qiproja, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja.

Lajme të ngjashme