Eminemi kërkon nga kandidati për president të ShBA-së që të mos ia përdorë muzikën në fushatë - NACIONALE

Eminemi kërkon nga kandidati për president të ShBA-së që të mos ia përdorë muzikën në fushatë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Reperi i famshëm amerikan, Eminem, ka kërkuar nga kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, Vivek Ramaswamy, që të mos e përdorë muzikën e tij gjatë fushatës presidenciale, sipas një letre të publikuar të hënën.

Në letrën që e mban datën 23 gusht e që u raportua së pari nga “Daily Mail”, BMI, organizatë për të drejtat e performuesve, i njoftoi zyrtarët e fushatës së këtij kandidati, me kërkesë të reperit, se nuk do ta licensojë më muzikën e Eminemit për t’u përdorur në fushatën e Ramaswamy-t, raporton agjencia “Reuters”.

“BMI-ja ka pranuar një komunikim nga Marshall B. Mathers, III, i njohur profesionalisht si Eminem, që ankohet për përdorimin e kompozimit muzikor të Eminemit në fushatën e Vivek Ramaswamy dhe që kërkon që BMI-ja t’i heqë të gjitha Punimet e Eminemit nga Marrëveshja”- thuhet në letrën e BMI-së.

Zyrtarët e fushatës së kandidatit republikan i thanë televizionit CNN se do ta zbatojnë kërkesën për ta ndërprerë përdorimin e muzikës së Eminemit.

Ramaswamy, biznesmen pa përvojë politike, ka shënuar rritje të përkrahjes në disa anketa dhe rivalët e tij i ka cilësuar si “të blerë e të paguar”.

Ndërmarrësi 38-vjeçar i teknologjisë ishte në qendër të vëmendjes gjatë çasteve më dramatike të debatit të parë republikan javën e kaluar.

Ramaswamy, mbrojtës i ashpër i ish-presidentit Donald Trump, u ballafaqua me shumë kritika nga rivalët e tij më me përvojë, të cilët dukej se e shihnin atë si rrezik më të madh në garë se guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili ndodhet i dyti në anketa, pas Trumpit.

Lajme të ngjashme