Edhe turqit braktisin vendin e hyxhym drejt Gjermanisë - NACIONALE

Edhe turqit braktisin vendin e hyxhym drejt Gjermanisë

5 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Në rrethanat e inflacionit masiv, qytetarë të Turqisë gjithnjë e më shumë po e zgjedhin Gjermaninë për një jetë më të mirë.

Sipas një reportazhi të Deutsche Welle në maqedonisht, në Gjermani gjatë vitit që lamë pas numri i shtetasve të natyralizuar turq u dyfishua.

Megjithëse kjo lidhet edhe me lehtësitë nga ligji i ri për shtetësi, arsyet politike e ekonomike luajnë goxha rol.

Gjermania është bërë vend i parapëlqyer për qytetarët e Turqisë, qoftë për të jetuar, studiuar apo punuar.

Sipas të dhënave për vitin 2024, të afishuara nga Statista, 22,525 qytetarë turq morën nënshtetësi gjermane, një rritje kjo prej rreth 110 për qind krahasuar me një vit më herët.

Kësisoj, Turqia bëhet vendi i dytë, pas Sirisë, në listën e vendeve që prijnë me njerëz që po natyralizohen si gjermanë.

Reforma në ligjin për nënshtetësi, në qershor të 2024-s, ka shtuar në mënyrë marramendëse numrin e shtetasve të natyralizuar, për shkak se për plot imigrantë shtetësia e dyfishtë është arsye kryesore për natyralizim.

Koalicioni i mëhershëm qeverisës në Gjermani e pati shkurtuar periudhën e qëndrimit të detyrueshëm nga tetë në pesë vjet.

Kurse, ata që kanë treguar arritje të veçanta në integrim mund ta marrin nënshtetësinë për vetëm tre vjet.

Sidoqoftë, koalicioni i ri qeverisës mes kristiandemokratëve (CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD) e shfuquzioi këtë rregull.

Megjithatë, edhe më tutje ngelet mundësia për ta mbajtur shtetësinë paraprake nga vendi i origjinës. Deri vonë, me përjashtim të qytetarëve të BE-së dhe Zvicrës, ishte e domosdoshme që të hiqej dorë nga shtetësia e mëparshme.

Vlerësohet se rreth 3 milionë njerëz në Gjermani janë me prejardhje nga Turqia.

Migrimin drejt Gjermanisë po e nxit edhe gjendja politike, sociale e ekonomike në Turqi.

Më së shumti ndikim duket se ka trysnia politike e cila është rritur ndër vite.

Organizatat për të drejtat e njeriut vazhdimisht njoftojnë për cenim të lirisë së shprehjes dhe mediave.

Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, në mars, nxiti vëmendje të madhe ndërkombëtare, duke u konsideruar si një tjetër veprim autoritar nga ana e regjimit të Erdoganit.

Imamoglu shihet si një kandidat premtues për president të Turqisë dhe një pasues i mundshëm i Erdoganit.

Për më tepër, vendi nuk është këndellur prej krizës ekonomike që vazhdon prej vitesh: më 2015, një euro ishte rreth 2.3 lira turke. Sot, një euro është e barabartë me rreth 45.56 lira. /Nacionale/

Lajme të ngjashme